Intervistë me ardhjen e re te Kosova, Arbnor Aliu: Nuk di t'i përshkruaj emocionet kur mora ftesën
Arbnor Aliu ka qenë një në vlugun e ardhjeve të reja te grupmoshat e reja të Kombëtares së Kosovës në muajt e fundit, derisa për Nacionalen ai ka zbuluar detajet prapa ardhjes së tij te 'Dardanët'.
Qendërmbrojtësi 19-vjeçar aktiviziohej rregullisht me skuadrën e juniorëve të Schalkes, derisa së fundmi ka qenë pjesë edhe e skuadrës seniore.
Në të kaluarën, Aliu ka luajtur për Kombëtaren U15 dhe U18 të Gjermanisë, duke realizuar plot 18 paraqitje në total për 'Die Mannschaft'.
Gazetari i Nacionales, Shpend Thaçi, ka bërë një analizë të detajuar rreth karakteristikave të Aliut ku, ndër të tjerash, shkruan:
"Shquhet si lojtar pozicional mbi të gjitha. I kujdesshëm ta ruajë zonën që mbulon, pa i lejuar shumë hapësira vetes që të manovrojë me topin në zona të rrezikshme. Pikërisht aftësia e leximit të situatave defanzive kur kundërshtari sulmon dhe të pasurit durimin e duhur për t'i përcjellë aksionet e lojtarëve sulmues që i markon, është prej pikave më të forta të tij."
Kontributi i Aliut nuk është veç në defanzivë, derisa ka atributet e duhura të kontribojë edhe në fazën ofanzive, siç elaboron Thaçi më poshtë.
"Gjithashtu, kur ftohet në apel që ta bëjë regjisorin fals, duke organizuar aksionin nga këmbët e tij, di të jetë mjaft i zgjuar që ta bëjë hapjen e lojës në mënyrën më të mirë të mundshme përmes avancimit me topin në pronësi."
Lexoni analizën e plotë në lidhje me kualitetet dhe karakteristikat e Aliut më poshtë.
Nacionale ka kontaktuar me futbollistin dhe ka siguruar një intervistë me të, e cila është transkriptuar më poshtë.
Kur ka qenë kontakti i parë me FFK-në?
Kontaktet me FFK-në kanë filluar para katër viteve e deri tash, kur edhe morëm vendimin bashkë me familje që unë te luaj për Kosovën.
A ka qenë gjithmonë ëndrra juaj të luani për Kosovën?
Po, prindërit e mi vinë nga Kosova. Për këtë arsye edhe kam vendosur të luaj për vendlindjen e prindërve.
Cili ka qenë reagimi kur jeni ftuar të vishni fanellën e Kosovës U21?
Kam qenë shumë i emocionuar. S'di as vet ta përshkruaj at kënaqësi. I falënderoj shumë për ftesën dhe mikpritjen që më bën.
Sa i keni përcjellë ndeshjet e Kosovës më herët?
Kam pasë rast t'i shoh disa ndeshje të Kosovës, por jo të gjitha shkaku që nuk kisha shumë kohë të lirë.
Idhulli në futboll?
Idoli jem që nga mosha 4-vjeçare, kur edhe fillova të luaj futboll është Messi. Ky nuk është vetëm mendimi im, por i shumë legjendave të futbollit.
Nëse do të ftoheshit të luanit për Kombëtaren A, a do të pranonit?
(Aktivizimi me skuadrën seniore të Kosovës do të nënkuptonte se ai më nuk do të ishte legjitim për Gjermaninë).
Po, normal që do pranoja me shumë dëshirë. Mirëpo, s'pari duhet të kem fatin e te luaj mirë e sa më shumë lojë te ekipa ime, Schalke U23, se është konkurrenca shumë e fortë. Ka lojtarë shumë të mirë. Pastaj te Kosova U21, nëse shkon puna mbarë atëherë me shumë dëshirë [do të aktivizohesha] për Kombëtaren A.
Aktivizimi I Arbnor Aliut te Kombëtarja U21 thuhet të jetë shumë i rëndësishëm, për shkak të numrit të futbollistëve që kjo grupmoshë ka humbur nga muaji qershor, derisa shumë lojtarë kanë humbur të drejtën të luajnë pasi kanë kaluar moshën 21-vjeçare.
Aliu ishte aktivizuar edhe me skuadrën senior të Schalkes 04, me paraqitjen e parë të tij që erdhi në një miqësore prapa dyerve të mbyllura.
Ai ishte ftuar nga trajneri Mike Buskens në një përballje kundër Utrechtit më 24 mars dhe ishte një nga pesë lojtarët më të mirë nga skuadra junior që ishte ftuar të luante me skuadrën e parë.
