Analizë: Kush është talenti i ri i Schalkes që pranoi të luajë për Kosovën? - NACIONALE

Analizë: Kush është talenti i ri i Schalkes që pranoi të luajë për Kosovën?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjatë kësaj jave FFK vazhdoi që t'i zyrtarizojë disa lojtarë të rinj nga akademitë e klubeve evropiane të cilët kanë pranuar që ta përfaqësojnë Kosovën. Njëri prej tyre ishte afrim i mirëseardhur dhe shumëdëshiruar. Fjala vjen për Arbnor Aliun, qendërmbrojtësin e ri 19-vjeç përspektiv të Schalkes, të cilin kam pasur fatin ta ndjeki në disa ndeshje. Në vazhdim do të mundohem që të shpalosi më shumë rreth tij, profilit të lojtarit që është dhe karakteristikat tjera teknike që posedon.

Nuk është ndonjë sekret të thuhet që Kosova është në gjendje të ngrirë për sa i takon fushatës për të sjellë freski dhe energji të reja, me afrimin e lojtarëve të rinj, në Kombëtaren e parë, gjegjësisht atë seniore. Vështirësitë duken çdoherë e më të mëdha. Këtu është një fuzionim i paaftësisë të prezantimit të ndonjë plani konkret në disa raste nga ana e përgjegjësve në FFK, si dhe të blerjes së kohës të vazhdueshme që e përdorin si praktikë futbollistët dhe familjarët e tyre në perëndim.

Duke i njohur këto rrethana, në një-vjeçarin e fundit është vërejtur një ndryshim strategjie, me koncentrimin që ka kaluar në afrimin e lojtarëve të rinj, kadetë dhe juniorë, nga ligat e ndryshme evropiane, të cilët në të shumtën e rasteve aktivizohen në akademi klubesh solide. Politikë dhe strategji e mirëseardhur, e cila i shkon në dobi ripërtërirjes dhe rritjes së cilësisë brenda kontigjenteve të kombëtareve zinxhir, të cilat, për hir të së vërtetës, nganjëherë kanë qenë të vobekta.

Në vazhdën e kësaj fushateje të re, Kosova siguroi edhe përgjigjen pozitive të qendërmbrojtësit të Schalkes, Arbnor Aliu, për t'iu bashkuar projektit dardan.

Profili i përmbledhur i Arbnor Aliut

Arbnor Aliu është formësuar dhe zhvilluar brenda klubit të njohur gjerman Schalke. Ai gëzon një respekt, konsideratë dhe reputacion të çmuar te klubi nga Gelsenkirchen. Gjithmonë është lojtar titullar në skuadrën e juniorëve të Schalkes, të cilët luajnë në kampionatin perëndimor të Bundesligës për grupmoshën përkatëse.

Ndër të tjera, është edhe lideri i vijës defanzive. Më herët ka mbrojtur edhe ngjyrat e Gjermanisë në grupmoshat zinxhir, nga U15 deri në U18, duke numëruar 18 paraqitje.

Karakteristikat teknike si lojtar: pikat e forta dhe çalesat

Shquhet si lojtar pozicional mbi të gjitha. I kujdesshëm ta ruajë zonën që mbulon, pa i lejuar shumë hapësira vetes që të manovrojë me topin në zona të rrezikshme. Pikërisht aftësia e leximit të situatave defanzive kur kundërshtari sulmon dhe të pasurit durimin e duhur për t'i përcjellë aksionet e lojtarëve sulmues që i markon, është prej pikave më të forta të tij.

Gjithashtu, kur ftohet në apel që ta bëjë regjisorin fals, duke organizuar aksionin nga këmbet e tij, di të jetë mjaft i zgjuar që ta bëjë hapjen e lojës në mënyrën më të mirë të mundshme përmes avancimit me topin në pronësi. Në fakt, arsyeja pse ai nuk është i predispozuar që të gabojë shumë, është edhe për faktin se brenda gjysmëfushës së tij shkon në hapa të sigurt, pa rrezikuar tej mase. Në tërë kampionatin ai ka bërë gabime minimale të cilat i kanë kushtuar skuadrës me gola të pësuar. Po flasim për dy sosh, që për një qendërmbrojtës që mban mbi supe përgjegjësinë e sulmeve kundërshtare, është shifër tepër e vogël.

Ndërkaq, kur skuadra është në posedim të topit, di edhe të depërtojë në zona kundërshtare, për ta shfaqur një tjetër tipar teknik.
Njashtu, po flasim për një qendërmbrojtës që i fiton 65% të dueleve ndaj kundërshtarëve, ku 58% prej atyre ajrore.

Nëse duhet t'ia përmendim një tipar teknik ku ende çalon tej mase është ai i diagonaleve, ku ka margjinë përmirësimi. Njëherazi, duhet shtuar se edhe konstrukti trupor fizik i tij kur kemi parasysh pozitën që e mbulon dhe detyrat që ka, nuk është në nivelin e dëshiruar akoma.

Pse është i rëndësishëm afrimi i tij te Kosova U21?

Te Kosova U21 janë një mori lojtarësh të cilët për shkak të vitit të lindjes do t'i luajnë ndeshjet e fundit me këtë grupmoshë në muajin qershor. Pas këtyre ndeshjeve, ata nuk do të mund të ftohen më nga stafi teknik i grupmoshës përkatëse. Në mesin e këtyre emrave është edhe qendërmbrojtësi, njëherit kapiteni i Kosovës U21, Edvin Kurtulus. Për këtë arsye, në vazhdën e ripërtërirjes së gjeneratës, afrimi i Aliut te Kosova U21 është sa i rëndësishëm, aq edhe i dobishëm. Së bashku me Zumberin, Janjevën dhe Hotin - do të vazhdonin edhe për një cikël të ri kualifikues që të luanin me shpresat e Kosovës.

Te Schalke në shumicën e rasteve Aliu luan me vendosjen në mbrojtje me 4, me skemën 4-4-2, kurse te Kosova U21 moduli i lojës ka evoluar ndeshje pas ndeshje, nga mbrojtja me 3, 5, 4 - varësisht prej kundërshtarëve dhe rrethanave.

Raporti i tij me skuadrën e parë të Schalke

Pak ditë pasi u emërua si trajner i skuadrës së parë të Schalkes, Mike Büskens, zhvilloi grumbullimet e para me kontigjentin e lojtarëve. Në një moment, kur erdhi koha e pauzës së kampionatit për shkak të ndeshjeve kualifikuese në nivel kombëtaresh, ai vendosi që më 24 mars ta luante një ndeshje miqësore me dyer të mbyllura përballë skuadrës holandeze Utrecht. Në mesin e lojtarëve të rinj që zgjodhi për t'i parë nga afër, ishte edhe Arbnor Aliu.

Pra, nuk është se ftoi një ekip të tërë nga juniorët, por pesë më të mirët dhe aty ishte i përfshirë edhe lojtari më i ri i Kombëtares së Kosovës, Aliu.

Në fund të ndeshjes trajneri gjerman deklaronte se kishte parë lojtarët e rinj [në mesin e tyre edhe Arbnor Aliun] që janë në gjendje të qenurit në lartësinë e duhur garuese, me skuadrën e Schalkes që miqësoren në fjalë e fitonte me rezultat 1:0.

Kjo flet për përshtypjen e mirë që 19-vjeçari i ri kosovar ia ka dhënë trajnerit kryesor të klubit.

Lajme të ngjashme