Intervistë | Malvina Haziri në top 10 basketbollistet e Jr. NBA, rrëfen babai i saj: Model ka Stephen Curry
Basketbollistja 13-vjeçe, Malvina Haziri, para pak muajsh u rendit në mesin e dhjetë talenteve më të mira nga Jr. NBA. Së voni, klubi turk, Cukurova, e ka afruar në radhët e tij.
Kosova nuk është vendi më i përshtatshëm i mundshëm për zhvillimin dhe formësimin e talentëve të rinj në sport. Mungesa e infrastrukturës, ajo e një strategjie dhe e investimeve përcjellëse - bëjnë që sportistët kosovarë të përballen me një mal problemesh apo pengesash.
Një vajzë e re, akoma e mitur, nga Vushtrria, po bën hapa të rëndësishëm në zhvillimin e saj si basketbolliste. Fjala është për 13-vjeçaren, Malvina Haziri, që po gëzon një progres të kënaqshëm gjatë këtij viti. Për më tepër, ajo është edhe përfaqësuese e Kosovës në grupmoshën U-14.
Gjatë fillimit të muajit prill, u ftua që të merrte pjesë në kampin e njohur elitar të Jr. NBA. Talentet nga dy kontinentet, Evropa dhe Lindja e Mesme, ishin pjesë e atij kampi. Malvina spikati me përformancën e saj, duke bërë që të renditej në mesin e 10 talenteve më të mira.
Në një intervistë për Gazetën Nacionale, babai i saj, Shemsi Haziri, i cili përkujdeset për të, tregoi të gjitha detajet sa i përket zhvillimit të Malvinës dhe kalimit që ka bërë te klubi turk, Cukurova nga qyteti i Mersin. Pasi vajza është akoma shumë e re, në lidhje me të ardhmen e saj prononcohet babai, Shemsiu. Kësisoj, ai u është përgjigjur pyetjeve të gazetës.
Gazeta Nacionale:
Vajza juaj, Malvina, po shënon një progres të vazhdueshëm në basketboll. Së fundi, ajo u transferua në Mersin të Turqisë te Cukurova. A mund të na flisni më shumë në lidhje me këtë marrëveshje që keni arrijtur me klubin turk?
Shemsi Haziri:
Sa i përket Cukurovas, pasi klubi ka shprehur interesim për Malvinën, ajo ka qenë në prova në muajin dhjetor në Mersin dhe testet i ka kaluar pa problem. Edhe gjatë kohës kur ka qenë në Kosovë, stafi i tyre gjithmonë e ka përcjellur Malvinën, në çdo ndeshje. Kështu, klubi ka vendosur të investojë në të. Në qershor kemi qenë një javë të ftuar, përfshirë familja, për ta parë vendin. Tani, Malvina është transferuar në Turqi dhe po i vazhdon stërvitjet sipas programit të tyre.

Gazeta Nacionale:
Cilat janë planet e Cukurovas sa i përket zhvillimit të Malvinës si basketbolliste?
Shemsi Haziri:
Planet e Cukurovas sa i përket zhvillimit të Malvinës si basketbolliste natyrisht që janë ta forcojnë edhe më shumë, ta formësojnë sipas mënyrës së tyre dhe të nxjerrin më të mirën prej saj.
Gazeta Nacionale:
Në Turqi a do të zhvendoseni edhe pjesa e ngushtë e familjes së juaj për t'i qëndruar afër?
Shemsi Haziri:
Për t'u zhvendosur nuk do të zhvendosemi, por për ta vizituar dhe për t'i qëndruar afër, patjetër që po.
Gazeta Nacionale:
Nga dhe si i buroi dashuria për basketbollin?
Shemsi Haziri:
Dashuria për basketbollin i ka lindur në formë natyrale. Ajo qysh nga mosha e hershme e ka kuptuar vetë se cilës lëmi i takon. Nuk kemi pasur asnjë familjar basketbollist/e. Kështu që, asnjëherë nuk e ka pasur dikë si referim për basketbollin nga familja, por gjithmonë ka vepru në bazë të këshillave të trajnerave të saj. Këtu më duhet ta potencoj se për zhvillimin e saj si basketbolliste më meritorët janë dy trajnerët e VushtrriaBasket, Arsim Berisha dhe Arjanit Morina, të cilët kanë punuar me të që nga dita e parë që ajo e ka shprehur dashurinë për basketbollin. Ka qenë ndihmë e madhe për të e edhe për ne, sepse siç thashë nuk kemi pasur dikë në familje prej nga edhe Malvina të kishte pasur mundësi të merrte këshilla e sugjerime. Mirëpo, punën ia kemi besuar dy trajnerëve të saj, të cilët gjithnjë e më shumë na kanë dëshmuar se nuk kemi gabuar për të gjithë besimin e dhënë.

Gazeta Nacionale:
A ka pasur ndonjë basketbollist/e model? Nëse po cili është ai/ajo?
Shemsi Haziri:
Sa i përket lojtarëve model mund të them se Stephen Curryn e ka për zemër.
Gazeta Nacionale:
Në kuadër të kampit elitar të Jr. NBA, i cili u zhvillua në Romë gjatë muajit prill, Malvina u rendit në mesin e 10 basketbollisteve me më së shumti talent dhe të ardhme. A ishte ai momenti kur filloi të ndryshojë trajektorja për Malvinën si basketbolliste e re?
Shemsi Haziri:
Sa i përket përzgjedhjes së top 10 të kampit elitar të Jr. NBA të mbajtur në Romë, natyrisht që është një nga sukseset e saj më të mëdha deri tash. Pas përzgjedhjes së saj në top 10 dhe gjithashtu pas ndeshjeve të YDF, ka pranuar oferta të ndryshme edhe nga klube të tjera. Kështu që, patjetër mund të them se ai moment ka qenë një arritje shumë e rëndësishme për karrierën e saj.
Gazeta Nacionale:
Pasi u vlerësua dhe pranoi një dhuratë nga NBA, ajo u ftua që të marrë pjesë edhe në kampin trajnues të Abu Dhabit që zhvillohet në tetor. Pas kalimit të saj në Mersin a do të ndryshojë ndonjë gjë në këtë kontekst apo prapëseprapë do të marrë pjesë në kampin në fjalë?
Shemsi Haziri:
Po, do të marë pjesë në kampin trajnues të Abu Dhabit. Nuk ka ndryshuar asgjë edhe pas transferimit të saj në Mersin.
Gazeta Nacionale:
Në Kosovë me të drejtë flitet në superlativ për Malvinën, si njëra ndër basketbollistet e reja më premtuese që kemi në qarkullim. Është akoma e re, 13-vjeçare, por si e përjeton përfaqësimin e vendit të saj me grupmoshën U-14?
Shemsi Haziri:
Malvina e ka përfaqësuar vendin e saj në projektin e YDF me grupmoshën U15 dhe patjetër që gjithmonë e ka përjetuar shumë mirë, me shumë dashuri dhe krenari për vendin e saj.

Gazeta Nacionale:
Sa e vështirë do të jetë për familjen që Malvinën ta ketë larg vendit të vet?
Shemsi Haziri:
Natyrisht që për ne si familje do të jetë e vështirë ta kemi Malvinen larg vendit të saj, por siç thashë edhe më herët, do të mundohemi që ta vizitojmë sa më shumë e sa më pak ta lëmë vetëm, në mënyrë që si ajo, ashtu edhe ne - ta përjetojmë sa më lehtë.
Gazeta Nacionale:
Si e shihni ju dhe ajo faktin se tani do t'i duhet ta ndërprejë shkollimin në Kosovë? Sa mendoni që do të jetë e vështirë një rrugëtim paralel mes shkollimit dhe zhvillimit profesional si basketbolliste?
Shemsi Haziri:
Shkollimin do ta vazhdojë në Turqi, në gjuhën angleze, në një shkollë private. Ajo gjithmonë edhe me mësime ka qenë shembullore. Kështu që, jam i sigurt sedo ia dalë t'i menaxhojë shumë mirë të dyjat paralelisht.