Intervistë | Artan Mehmeti: S'mjafton që basketbollistët e rinj të punojnë vetëm me ekip, por duhet punuar edhe individualisht - NACIONALE

Intervistë | Artan Mehmeti: S'mjafton që basketbollistët e rinj të punojnë vetëm me ekip, por duhet punuar edhe individualisht

1 muaj më parë

nga Shpend Thaçi

Artan Mehmeti ishte njëri ndër lojtarët kryesorë që dikur bënë që basketbolli të shndërrohej në sportin më të shikuar në Kosovë. Ai është intervistuar nga gazeta Nacionale për të komentuar shumë tema rreth basketbollit.

Basketbolli në Kosovë kishte marrë përmasat e sportit që përcillte në masë emocionet më të veçanta në vend. Basketbollistët vendorë ishin akterë relevantë në parket, po aq sa ata të huajt. Shumëkush mendon se Kosova pati fatin që deri në vitin 2005 ta shijonte njërën prej periudhave të arta të këtij sporti, ngase kuadrot nga basketbollisët vendorë ishin të spikatura, me lojtarë teknikë.

Një teknikë unike në manovrim të topit, gjuajtje nga distanca dhe pasime të shpejta, e kishte edhe Artan Mehmeti.

Ish-lojtari i dikurshëm i Kombëtares së Kosovës dhe i klubeve të shumta, si Drita, Wesminister Warriors, Trepça, Mabetex Prishtina dhe Peja, i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së gazetës Nacionale për ta realizuar një intervistë, për atë se si e sheh ai ndeshjen e nesërme të Kombëtares së Kosovës përballë Danimarkës, edicionin e ri në Superligën e Kosovës që nis nga vjeshta dhe organizimin e ish-klubit të tij Trepça.

INTERVISTË


Nacionale:

Sa i vlerësoni gjasat e Kosovës për të triumfuar ndaj Danimarkës, pas mungesave të shumta që u konfirmuan dje?

Artan Mehmeti:

Lojën me Danimarkën e shoh të vështirë për ne, duke marrë parasysh se luajmë si mysafirë dhe kemi disa mungesa në ekip.
Danimarka e ka epitetin e favoritit. Ne edhe pse kemi mungesa në ekip dhe në veçanti në pozitën e qendrës, do të ishte mirë të luanim lojë të shpejtë dhe aty ta kërkojmë rastin tonë për t'i befasuar danezët.

Nacionale:

Pse nuk kemi më shumë lojtarë vendorë që marrin barrën në skuadra?

Artan Mehmeti:

Në krahasim me disa liga tjera nuk është edhe që nuk kemi lojtarë vendorë që nuk marrin barrën në ekipet ku luajnë. Driloni në Trepçë, Dardani në Pejë, Erjoni në vitet e fundit në Yll, Bunjaku në Bashkim, kanë bartur barrën kryesore në klubet e tyre. Kuptohet, dëshira ime do të ishte t'i kishim së paku nga dy apo tre vendorë në secilin ekip, por për momentin kështu është situata.

Nacionale:

Çka dallon Superliga tani dhe në kohën tuaj?

Artan Mehmeti:

Tani Superliga në krahasim me kohën kur unë kam luajtur, ka pak dallime. Në atë kohë mbaj mend që të gjitha ekipet e Superligës kanë qenë të forta dhe fitoren në asnjë lojë s’e kemi pasë të garantuar, e lëre më titullin apo Kupën e Kosovës. Ekipet në atë kohë kanë sjellë lojtarë kualitativë, por kjo assesi nuk e minimizon kualitetin e ligës në dy vitet e fundit te ne.

Nacionale:

Çka mendoni që duhet të bëjnë akoma më shumë klubet në mënyrë që të rritet më shumë cilësia?

Artan Mehmeti:

Mendoj që klubet janë duke bërë maksimumin për momentin dhe unë i komplimentoj të gjitha ato. Për të rritur cilësinë duhen sjellë lojtarë të huaj cilësorë, kurse për t'i sjellë ata, duhet që klubet të kenë stabilitet financiar. Kosova është treg i vogël, andaj ekipet më shumë shpresojnë që t'ia qëllojnë me përforcimet nga jashtë.

Nacionale:

Pse nuk transferojmë basketbollistë jashtë vendit? Çka duhet ndryshuar?

Artan Mehmeti:

Për të transferuar lojtarë vendorë jashtë, për momentin është e vështirë. Ndoshta kjo do të ndryshojë në vitet në vijim, por nuk jam shumë optimist. Të gjithë lojtarët tonë vendorë duhet të punojnë më shumë, që prej gjeneratave të reja. Dhe, jo vetëm me ekip të punojnë, por edhe individualisht. Ndryshe suksesi nuk do të vijë. Ritmi i lojës në top-liga është si një tren që ec me shpejtësi të rrufesë.

Nacionale:

Cili është ekipi juaj favorit për titull, duke parë organizimin e klubeve në Kosovë deri më tani?

Artan Mehmeti:

Nuk ka favorit për mua. Pres që Trepça, Ylli, Prishtina dhe Peja të na sjellin shumë emocione. Do të jetë një sezon i gjatë basketbollistik dhe unë mezi pres ta shijoj.

Nacionale:

Keni luajtur disa vite te KB Trepça. Sa vazhdoni të jeni i lidhur emocionalisht me klubin?

Artan Mehmeti:

Unë jam nga Mitrovica dhe jam i lidhur shumë emocionalisht me Trepçën. Edhe pse kam luajtur për disa ekipe tjera, për mua Trepça është diça ndryshe.
Me Trepçën kam filluar karrierën. Me Trepçën kam fituar tituj dhe kupa. Me Trepçën kam kujtimet më të mira. Për Trepçën jam kthyer nga Anglia. Për Trepçën tani luan edhe djali im. Pra, s'ka se si me qenë ndryshe.

Nacionale:

Si e vlerësoni organizimin e klubit, ku së fundi konfirmuan qëndrimin e trajnerit dhe bartësve kryesorë të lojës, si dhe u përforcuan me dy lojtarë të spikatur vendorë, siç janë Tmusic dhe Erjon Kastrati?

Artan Mehmeti:

Organizimi i klubit Trepça është fantastik. U lumtë djemve që kanë marrë barrën e riorganizimit të klubit. Thjesht, janë për çdo lëvdatë. I është kthyer buzëqeshja qytetit. Tani është situatë e njëjtë si unë kur kam luajtur. Non-stop flitet për basketboll. Interesimi i të gjitha moshave - nga fëmijët e deri të atyre në moshë të shtyrë për basketboll - është rritur. Dominojnë ngjyrat gjelbër dhe zi. Thjesht, është shumë atmosferë e mirë ajo që mbretëron në Mitrovicë.
Sa i përket Erjonit dhe Tmusicit, janë përforcime të qëlluara nga kryesia e klubit.
Erjoni do të sjellë qetësi në lojë dhe me përvojën e tij do t'i ndihmojë shumë ekipit. Ndërkaq, Tmusici do të sjellë shumë energji dhe forcë në mbrojtje. Pres që edhe lojtarët tjerë të Trepçës të tentojnë ta përcjellin ritmin e tij.

Lajme të ngjashme