Interi e ‘shkatërron’ Benficën, derbi i skuadrave nga Milano në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve
Interi ka shënuar fitore me rezultat të përgjithshëm 5:3 ndaj Benficës në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, kështu për t’u kualifikuar në gjysmëfinale, ku do të ketë punë me rivalin e qytetit, Milanin.
Zikaltrit nuk arritën të fitonin si vendas, ashtu si në udhëtim në Portugali një javë më parë, pasi krejt në fund portugezët barazuan për rezultatin 3:3.
Nicolo Barella hapi shumë shpejt serinë e golave për Interin, duke shënuar gol shumë të bukur në minutën e 14-të për 1:0.
Për dallim nga ndeshja e parë, skuadra portugeze arriti të kundërpërgjigjej në ndeshjen e kthimit. Ishte Fredrik Aursnes që shënoi gol të mirë me kokë, pas një harkimi fenomenal të Rafa Silvas në minutën e 38-të, për rezultatin 1:1, me të cilin u mbyll pjesa e parë.
Skuadra e Simone Inzaghit e nisi edhe pjesën e dytë më mirë, për të shënuar dy golat e ardhshëm, për t’ia shuar shpresat mysafirëve për një përmbysje të mundshme.
Ishte Lautaro Martinez që shënoi gol nga afërsia për 2:1, pas disa kombinimeve të mira nga Mkhytaryan dhe Dimarco, me këtë të fundit që harkoi ulët në zonë.
Joaquin Correa u përkujdes që ta fundoste Benficën, me një gol të jashtëzakonshëm, pak minuta pasi hyri në fushë dhe sërish Dimarco ishte asistues.
Benfica krejt çfarë bëri deri në fund, shënoi dy gola për të barazuar rezultatin.
Ishte Antonio Silva që shënoi me kokë, me Grimaldon që harkoi për rezultatin 3:2.
Ndërsa për rezultatin përfundimtar shënoi Petar Musa në minutat shtesë për 3:3.
Interi me rezultatin e përgjithshëm 5:3 kualifikohet në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, aty ku e pret Milani që dje eliminoi Napolin.




