Inter rigjen fitoren në kampionat, Brozovic hero i ndeshjes kundër Torinos - NACIONALE

Inter rigjen fitoren në kampionat, Brozovic hero i ndeshjes kundër Torinos

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Inter ka siguruar një fitore mjaft të vështirë, por të rëndësishme kundër Torinos, duke e mposhtur me rezultat 1:0, falë golit të Marcelo Brozovicit.

Skuadra zikaltre hasi në vështirësi të madhe që ta zhbllokonte ndeshjen, por ishte me një fytyrë ndryshe në fraksionin e fundit të ndeshjes, ku tregoi dëshirë më të madhe që ta gjente golin me çdo kusht.

Një gol që erdhi vonë pak minuta para përfundimit të ndeshjes, por që ia mundëson Interit që të marrë paksa frymëmarrje, aq më shumë pas dy humbjeve që pësoi në ditët që lëmë pas kundër Milanit dhe Bayernit.

Mërgim Vojvoda në këtë ndeshja ka bërë paraqitjen e dytë rresht si titullar, pasi gjatë javëve të kaluara ishte përballur me një lëndim që e la atë jashtë fushës për një muaj.

Raporti i ndeshjes Inter 1:0 Torino

Me Lukakun që akoma mungon dhe nuk pritet të rikthehet deri pas përfundimit të ndeshjeve të Kombëtareve që janë në program në fund të muajit shtator, Inzaghi i besoi Dzekos që ta përbënte tandemin sulmues me Lautaro Martinez.

Humbjet e fundit të njëpasnjëshme kanë lënë pasoja tek Inter, që nuk po ia del ta gjejë formën e saj më të mirë.

Kështu u dëshmua edhe në pjesën e parë, ku më i rrezikshëm me raste ishte vetë Torino, nëse vetëm vëmë theksin te disa kundërsulme të shpejta, të cilat rrezikonin ta vendosnin në lajthitje mbrojtjen e zikaltërve.

Me asnjë goditje në kuadrat të portës nga ana e Interit dhe portat që mbeten të patundura, mbaroi pjesa e parë.

Në pjesën e dytë Inter hyri me një qasje paksa më ndryshe, dëshpërimisht duke u përpjekur që ta vuloste ndeshjen me një detaj të vetëm, pasi Torino ishte i vendosur mirë në gjysmëfushën e vet dhe nuk po linte shumë hapësira për manovrat sulmuese të skuadrës së Inzaghit.

Megjithatë me mesfushorin kreativ kroat, Vlasic, Torino tregohej me raste të caktuara shumë kërcënues për portën e Handanovic. Portieri slloven ishte në lartësinë e duhur, duke bërë disa pritje të mira.

Në tridhjetë minutat e fundit të ndeshjes Inter rriti trysninë, duke sulmuar me më shumë lojtarë në drejtim të portës së portierit Milinkovic-Savic.

Rastin më të mirë në ndeshje për skuadrën zikaltër erdhi në minutën e 75-të të takimit nga ekzekutimi i një këndoreje. Më lart se gjithë kërceu Skriniar, duke e goditur me forcë topin, por Milinkovic-Savic tregoi reflekse të mira, duke e devijuar topin jashtë portës së vet.

Deri në fund të ndeshjes Torino u tërhoq edhe më shumë në 30 metrat e fundit, pasi Inter nuk rreshte së sulmuari. Lautaro Martinez me kokë u shfaq i rrezikshëm, por topi përfundoi jashtë shtyllës së djathtë pingule.

Sidoqoftë, goli i fitores erdhi në minutën e 89-të. Barella vendosi një top mjaft të mirë në zonë të rreptësisë, aty ku u tregua i kujdesshëm Brozovic që ta shtynte topin në rrjetë.

Me këtë gol mbaroi edhe epilogu i ndeshjes. Interi me këtë fitore shkon në kuotën e 12 pikëve, duke u renditur përkohësisht në vendin e tretë, në pritje të ndeshjeve që do t’i zhvillojnë skuadrat tjera konkurrente.

Ndërkaq, Torino për momentin zë vendin e 7-të me 10 pikë të grumbulluara.

Lajme të ngjashme