Icardi jashtë planeve të PSG, Galtier: Ndoshta gjetja e një skuadreje të re mund ta ripërtrijë karrierën e tij
Mauro Icardi po përballet me një periudhë aspak të mirë te PSG. Për Cristopher Galtier ai nuk figuron në planet e tij. Një gjë të tillë e tha qartazi edhe në konferencën e sotme për shtyp.
PSG ka pasur alternativa të panumërta gjatë viteve të fundit. Njëra ndër to ka qenë edhe sulmuesi argjentinas, Mauro Icardi. Mirëpo, dy sezonet e fundit për të kanë qenë aq shumë të vështira, sa që ia kanë venitur tërësisht formën e tij të dikurshme.
Një katandisje e ngjashme është vërejtur nga të gjithë, përfshirë edhe vetë drejtuesit e klubit dhe trajnerin aktual, Galtier.
Në kuadër të konferencës të sotme për medie, Galtier e përmendi në formë tejet të drejtpërdrejtë faktin që Icardi është më pjesë e projektit që është duke ndërtuar ai te PSG.
Deklarimi i plotë i Galtier rreth Icardit
I blerë nga PSG për 70 milionë euro pak orë para përfundimit të afatit kalimtar veror të vitit 2019, pritshmëritë rreth Icardit ishin të mëdha, por me kalimin e kohës u vërtetuan se ishin të paqëndrueshme.
Meqenëse kanë ndryshuar rrethanat që atëherë, tani rrjedhimisht ka ndryshuar edhe qëndrimi i klubit rreth tij.
"E kam parë Icardin gjatë fillimit të javës. Mungesa e tij në fundjavë ishte një zgjedhje teknike. E takova në fillim të javës për t'i thënë që dua ta reduktoj grupin e lojtarëve dhe të mos punoj me 25 lojtarë jashtë planeve të mia", potencoi ai.
Ai ka folur edhe më shumë rreth këtij qëndrimi që ka marrë rreth Icardit, duke u përpjekur që ta arsyetojë.
"Ka pasur shumë pak hapësirë minutazhi dhe mendoj që më e mira është që të ringjallet. Me këtë s'them që e ka humbur kështu të gjithë talentin, por është e vërtetë se prej dy vitesh gjithçka ka qenë e vështirë. Ideja e ndryshimit të skuadrës, që ta gjejë një skuadër më të përshtatshme, mund ta ndihmojë ta ripërtrijë karrierën e tij", u shpreh Galtier.
Tërësisht me fanellën e parisienëve Mauro Icardi ka shënuar 23 gola në 64 paraqitje. Numri i golave nuk është në proporcion me atë çfarë kishte demonstruar më herët, sidomos tek Inter. Sigurisht, konkurrenca shumë e madhe te PSG, me Mbappe që është i palëvizshëm nga formacioni bazë, e ka bërë të veten që sulmuesi 29-vjeç argjentinas të jetë i margjinalizuar, pa shumë minutazh dhe gjithnjë e më shumë jashtë planeve të skuadrës.

