PSG gjithmonë e më afër blerjes së Fabian Ruiz, arrin marrëveshje të plotë me lojtarin
Fabian Ruiz është çdoherë më pranë largimit nga Napoli. Ai nuk dëshiron që ta rinovojë kontratën me klubin italian. Në horizont është shfaqur PSG.
Marrëdhënies me Napolit dhe Fabian Ruiz janë gjithnjë më të ftohta. Kjo ka ndikuar që edhe të vëzhgohen mundësitë që të përgatitet një largim nga klubi aktual.
Falë paraqitjeve të mira që ka dëshmuar me Napolin dhe me ekipin kombëtar spanjoll, për Fabian Ruiz nuk mungojnë klubet që janë të interesuara për shërbimet e tij.
Një interesim enorm e ka shfaqur edhe vetë kampioni në fuqi francez, PSG. Parisienët janë gati që ta finalizojnë marrëveshjen për ta pasur në radhët e veta mesfushorin spanjoll gjatë këtij afati kalimtar veror.
Sa afër kalimit te PSG është Fabian Ruiz?
Siç raportojnë mediet e besueshme evropiane, PSG është duke punuar konkretisht që ta zyrtarizojë afrimin e Fabian Ruiz brenda pak ditësh.
Deri më tani klubi francez ka arritur marrëveshje të plotë me Fabian Ruiz rreth kushteve personale. Ndër të tjera, mesfushori 26-vjeç ka ndarë mendjen që të mos e rinovojë kontratën me Napolin.
Andaj, edhe kalimi i tij te PSG cilësohet çështje kohe, siç raporton edhe eksperti i transferimeve të lojtarëve, Fabrizio Romano.
Megjithatë, dy klubet akoma janë duke diskutuar rreth çmimit të transferimit. Raportohet se edhe portieri Navas do të përfshihet në këtë marrëveshje. Napoli dihet që ka nevojë për angazhimin e një portieri të ri dhe PSG ka menduar që t'ia propozojë këtë akord.
Tani palët janë duke i shqyrtuar kërkesat dhe ofertat e ndërsjellta, para se të finalizohet ujdia. Pas largimit të Gini Wijnaldum në formë huazimi te Roma dhe mundësisë që edhe Paredes të transferohet te Juventus, PSG ndjen nevojën që ta përforcojë repartin e mesfushës dhe te Fabian Ruiz ka gjetur profilin adekuat.
Andaj, ka edhe nguti nga drejtuesit e klubit francez që t'i jepet epilog negociatave për mesfushorin spanjoll.

