Hija e Muriqit e pranishme në betejën administrative të Lazios, Tare si tabelë qitëse - NACIONALE

Hija e Muriqit e pranishme në betejën administrative të Lazios, Tare si tabelë qitëse

3 vjet më parë

nga Shpend Thaçi

Igli Tare ka shënuar historinë e Lazios në pesëmbëdhjetë-vjeçarin e fundit si drejtor i klubit. Tani ai ka hyrë në fundin e skadimit të kontratës. Megjithatë, blerja 20 milionë euro e Vedat Muriqit me insistim të tij mund t’ia rrezikojë pozitën.

Jo vetëm në botën politike, por edhe në atë sportive – në mediet ndërkombëtare ka komente të ndryshme që bëhen në raport me ndonjë zhvillim për të cilin ka interesim publik. Nganjëherë gjykimen bëhen edhe subjektivisht, patjetër.

Lazio po shënon një fillim të mirë të kampionatit. Gjërat në fushë po ecin në rrugën e duhur, edhe pse me disa probleme të kamotshme (si fondi i cunguar i lojtarëve). Pozita e tretë në renditjen tabelore me pesë pikë larg kreut dhe plot gjashtë ndeshje pa pësuar gol - janë një tregues i formës të mirë që po gëzon i ekipi i drejtuar nga Sarri.

Gjithsesi, paralelisht me betejën në fushën e blertë, Lazio po zhvillon një betejë administrative po aq të madhe brenda vetes. Emri që po nxit polarizime dhe përçarje është ai i Vedat Muriqit.

Ky është interpretimi i parë që më vjen ndër mend bazuar në leximin e përditshëm që i bëj shtypit ditor italian dhe betejave të shumta që fryhen e krijohen nga jashtë, për të përfunduar brenda institucioneve. Vedat Muriqi nuk është "shkëputur" tërësisht nga Lazio. Sulmuesi kosovar vazhdon të përdorët si kartë nga mediet e caktuara për të shtyrë agjenda të ndryshme, ku kërkohen reformat në klub.

Së voni dëshmia më e mirë ishte një editorial i gazetarit me ndikim në futbollin italian, Alfredo Pedullà, ku shigjetoi Igli Taren dhe të ardhmen e tij në klub, ndër të tjera, mu me emrin e Vedat Muriqit.

Alfredo Pedullà njihet si gazetar i afërt me trajnerin Maurizio Sarri. Ky i fundit vetëm atij ia ka hapur dyert për intervista jashtë obligimeve kontraktuale të klubit me medie (siç e ka me “DAZN”, ku lojtarët dhe trajneri të paktën një herë gjatë sezonit duhet t’ia dedikojnë një hapësirë kompanisë televizive në fjalë, për shkak se është transmetues me të drejta të plota i kampionatit italian për periudhën 2021/2024). Një nder (ose shërbim) ky miqësor që ia bën Alfredo Pedullàs, i cili bashkëpunon me televizionin “SportItalia” për më shumë se dy dekada.

Këtu fillon gjeneza e përplasjeve të mëdha të cilat lindin të shtyrë edhe nga dy-vjeçari i Vedat Muriqit te Lazio. Ka një person që identifikohet me blerjen e tij. Ai është Igli Tare.

Kjo që po e shkruaj unë nuk është ndonjë sekret publik i llojit të vet. Dihet se Sarri dhe Tare kanë pasur fërkime të mëdha gjatë pranverës dhe verës të këtij viti. Fakti se gazetarë të caktuar, si Pedullà dhe disa të tjerë nga shtypi lokal, marrin shkas nga blerja e Muriqit për ta sulmuar akoma sot Taren si drejtor të klubit, flet për një fraksion të madh që po zhvillohet aty pari. Ka zëra dhe hipoteza që thonë se shkrimet e Pedullà janë reflektim i mendimeve të vetë trajnerit italian.

Vedat Muriqi po kalon në formë të mirë në Mallorca. Ka fituar vetëbesim. Ka rilindur me një fjalë. Sidoqoftë, një hije e tij matanë detit Mesdhe, në Romë, ende është e pranishme.

Ndërkohë që flitet se kanë filluar kontaktet e para për ta rinovuar kontratën me Lazion për drejtorin vlonjat, atij po i bëhet një "interpelancë publike", me doza edhe vrazhdësie, që t’i sqarojë 20 milionë eurot e shpenzuara për sulmuesin 28-vjeç kosovar.

Për sa i takon Tares, sa herë që është pyetur nuk ka hezituar që ta mbrojë publikisht Muriqin, duke kritikuar tej mase të qenët mosdurues të opinionit publik italian në lidhje me sulmuesin prizrenas.

Edhe nga Vedat Muriqi është përshëndetur sjellja dhe përkrahja e tij. Sido që të jetë, odiseada nuk mbyllet me kaq. Siç duket, sulmuesi “dardan” do të vijojë të jetë në epiqendër të një duelizmi administrativ te klubi, me persona të llojllojshëm me impakt edhe nga jashtë, gjegjësisht nga bota mediale, ku burojnë nga një afërsi e ngushtë me trajnerin Sarri.

Siç e potencoi edhe vetë në editorialin e tij Pedullà, ku sulmoi blerjen e Muriqit, çdo rinovim i kontratës së Igli Tares si drejtor i klubit do të nënkuptonte shkarkim “de facto” të Maurizio Sarrit.

Tani presidenti Claudio Lottito është i thirrur në apel që ta zgjidhë një enigmë të vështirë, se cilën rrugë dëshiron ta marrë: ta mbrojë të besuarin e tij Tare dhe t’i ofrojë vazhdimin e kontratës apo të pajtohet me moskënaqësinë e Sarrit në raport me punën e drejtorit – dhe – rrjedhimisht ta shkëpusë bashkëpunimin me të.

Një mes i artë tani për tani duket i vështirë. Ndërkohë, përçudshëm dhe pa ndonjë zë racional parë nga prizma ime, mediet e caktuara vazhdojnë anatemimin e Tares në kurriz të blerjes së Muriqit.

Për fatin e tij të mirë dhe në kundërshtim me paragjykimet që të njëjtit gazetarë dhe medie ia bënin, ai po shkëlqen në Mallorca në këtë vit kalendarik, si në gjysmësezonin e shkuar kur ishte i huazuar, si tani që po luan si lojtar ku kartonin e tij e zotëron tërësisht tanimë klubi ishullor spanjoll.

Shtypi i afërt me klubin dhe ai që përkrah Taren (ku Pedullà vuri theksin në editorialin e tij duke i sulmuar edhe këto medie që legjitimojnë çdo gabim të drejtorit shqiptar, përfshirë edhe blerjen e Muriqit - siç aludoi ai) – po e mbulon me profesionalizëm dhe respekt kapitullin e sulmuesit të Kombëtares së Kosovës në La Liga, ku në sezonin aktual, deri më tani, ka shënuar pesë gola.

Igli Tare të paktën deri në këtë moment që po flasim ka zgjedhur heshtjen, duke mos u përgjigjur artikujve dhe editorialeve simotra, që në emër të Vedat Muriqit e bëjnë tabelë qitëse atë.

Pesëmbëdhjetë vite kontribut në klub dhe transformimi drastik që i ka bërë atij, janë argumenti më i mirë në favor të tezës së Iglit për të synuar vazhdimin e projektit.

Igli Tare ishte sulmuar edhe për blerjen e lojtarëve tjerë me origjinë shqiptare, si Cana apo së voni Durmishi. Një pjesë relative e opinionit publik e kanë parë me sy skeptik afrimin e këtyre lojtarëve.

Lajme të ngjashme