Zyrtare: Hakif Gashi zgjidhet kryetar i Prishtinës
Biznesmeni prishtinas Hakif Gashi është zgjedhur kryetar i FC Prishtinës të mërkurën, ka konfirmuar për Gazetën Nacionale Remzi Ejupi.
"Po, po, sot ne jemi mbledhur dhe e kemi zgjedhur për kryetar të ri Hakif Gashin", tha Ejupi, i cili është bashkëpronar në Prishtinë, për Gazetën Nacionale.
Emërimi i kryetarit të ri i hap rrugë zgjidhjes së telasheve financiare dhe regjistrimit të lojtarëve të rinj në klubin kryeqytetas dhe shënon fundin e një epoke të gjatë 18-vjeçare të Ejupit si shef i klubit.
Ejupi konfirmoi se ai dhe ortaku i tij, Rrahman Haradini, janë anëtarë të bordit të përkohshëm të klubit dhe se mund të jenë pjesë e bordit të ri që pritet të emërohet së shpejti nga kryetari i ri.
"Unë dhe Haradini mbesim aksionarë aty. Mund të jemi pjesë e bordit, i cili do të zgjidhet më vonë tani pas emërimit të kryetarit të ri", theksoi ai.
"Gashi është një djalë i mirë, një biznesmen dhe mbi të gjitha një prishtinas", tha ai për kryetarin e ri.
Gashi, i cili do ta pasojë Remzi Ejupin në postin e kryetarit të klubit bardhekaltër, është pronar i njërit prej rrejteve më të mëdha të marketeve në vend, Meridian Corporation.
Telashet financiare në 100-vjetorin e klubit
Në vend se të luftonte sezonin e kaluar për ta mbrojtur titullin e fituar në edicionin paraprak, Prishtina u detyrua të luftonte për mbijetesë në sezonin 2021/22, si pasojë e telashe financiare.
Në një pikë gjatë sezonit të kaluar, lojtarët i kishin braktisur stërvitjet për shkak të vonesave disamujore të pagave në klubin bardhekaltër.

Kriza financiare ndikoi në paraqitjet e tyre në fushë dhe si rrjedhojë Prishtina e siguroi mbijetesën në Superligë në ditën e fundit të sezonit dhe e mbylli vitin në vendin e pestë, vetëm tri pikë larg zonës së rënies nga liga, duke mos i dhënë vetes shumë arsyeje për ta festuar ekzistencën shekullore të klubit.
Telashet e vazhdueshme dhe të pazgjidhura bënë që ajo t’i humbasë shumë futbollistë gjatë afatit kalimtar të kësaj vere.
Por, klubi më i madh kosovar ia doli ta emërojë njërin prej trajnerëve më të mirë në vend, Ismet Munishin, dhe e mbajti lojtarin kryesor Endrit Krasniqi dhe tani me emërimin e presidentit të ri, klubi ka shpresa për një sezon të ri të suksesshëm.
Kryetari i ri Gashi duhet të punojë tani në shlyerjen e borxheve ndaj futbollistëve, për t’i hapur rrugë regjistrimit të lojtarëve të rinj para fillimit të sezonit të ri më 13 gusht.
Prishtina do ta nisë sezonin e ri 2022/23 në udhëtim në Klinë kundër Dukagjinit.