Guardiola: Nuk mund ta përjashtoj mundësinë e largimit të Bernardo Silvas
E ardhmja e Bernardo Silva mbetet akoma në mëdyshje, edhe pse afati kalimtar veror i lojtarëve përfundon pas pak ditësh.
Bernardo Silva nuk e ka pohuar e as mohuar se dëshiron të largohet nga Manchester City sa herë që është pyetur nga gazetarët gjatë javëve të fundit.
Duke e ditur që është një lojtar me shumë ndikim te skuadra që më së shumti e ka mbizotëruar futbollin anglez në pesë vitet e fundit, Manchester City, medoemos edhe pyetjet nga shtypi britanik ndaj Pep Guardiola rreth asaj se ku do të jetë ylli portugez pas një viti, nuk kanë të rreshtur.
Kontrata e mesfushorit fantazist skadon në verën e vitit 2025. Sado që nga ky këndvështrim kontrata është më se e qëndrueshme, zërat për largimin e tij nuk pushojnë.
Guardiola nuk ofron garanci për qëndrimin e Bernardo Silvas
Në vigjilje të ndeshjes së mesjavës që Manchester City do ta luajë ndaj Nottingham në "Etihad Stadium", trajneri katalonas, Pep Guardiola, nuk ka mundur t'i shmanget pyetjeve për Bernardo Silvan.
Edhe deklaratat e sotme të Pep ishin në një vijë me ato që ka dhënë gjatë gjithë verës, ku thjesht nuk ndjen sigurinë që të garantojë se ylli 28-vjeçar do të qëndrojë në radhët e skuadrës që ai udhëheq.
"Nëse mund ta përjashtoj largimin e tij? Nuk e di. Nuk e di se çfarë do të ngjajë. E kam thënë disa herë se sa është i rëndësishëm Bernardo Silva për ne. Fatmirësisht pas pak ditësh do të mbyllet afati kalimtar dhe të gjithë do të mund të koncentrohet tek ajo se çfarë duhet të bëjnë në fushë", përfundoi Guardiola.
Klubi që edhe publikisht ka shprehur interesim për mesfushorin portugez është Barcelona. Pavarësisht problemeve enorme financiare me të cilat po vazhdon të përballet, Barcelona ëndërron ta transferojë në "Camp Nou" mesfushorin shtatëshkurtër.
Një interesim i klubit katalonas për të lidhet shumë edhe me një largim potencial të De Jong, i cili pritet t'i bashkohet njëres prej skuadrave në Premierligë deri në mbyllje të afatit kalimtar.

