Gramoz Vokrri: Po kandidoj për ta çuar futbollin përpara, Kuvendi i 6 prillit i jashtëligjshëm - NACIONALE

Gramoz Vokrri: Po kandidoj për ta çuar futbollin përpara, Kuvendi i 6 prillit i jashtëligjshëm

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Gramoz Vokrri ka thënë se po kandidon për president të Federatës së Futbollit të Kosovës për ta sjellë një frymë të re në futboll dhe për ta çuar atë përpara, megjithëse e quajti të jashtëligjshëm Kuvendin Zgjedhor të 6 prillit.

Duke folur pasi i dorëzoi në FFK nënshkrimet e nevojshme për ta siguruar kandidimin, Vokrri tha se shpreson në një garë të drejtë, pavarësisht dyshimeve të tij.

“Kemi një mbështetje goxha të madhe. Arsyeja pse po kandidoj është një mbështetje e madhe nga klubet të cilat nuk janë të kënaqura me zhvillimet brenda institucionit dhe po e kërkojnë një fryme të re për ta shtyrë futbollin përpara. Në futboll nuk hyn askush për të humbur. Shpresoj se gara do të jetë korrekte dhe e drejtë, ky është parim i demokracisë”, tha Vokrri të mërkurën.

35-vjeçari do të kërkojë t’i ndjekë hapat e babait të vet, të ndjerit Fadil Vokrri, i cili e kishte udhëhequr federatën e futbollit duke e anëtarësuar atë në UEFA dhe FIFA para se të vdiste nga një sulm në zemër në vitin 2018.

Në këtë garë ai do të përballet me presidentin e tanishëm të shtëpisë futbollit, Agim Ademi, i cili është në rigjykim për veprën penale detyrim në tentativë dhe nën hetime për kurdisje.

Edhe Vokrri beson se ky Kuvend nuk është i ligjshëm: “Prapë mendoj që ky kuvend i 6 prillit është i jashtëligjshëm. Kuvendi është thirrur në mënyrë të jashtëligjshme. Por na kanë thënë t’i sjellim nënshkrimet dhe ne jemi të gatshëm”.

Vokrri ngurroi ta kritikojë Ademin për punën e tij të deritanishme.

Gramoz Vokrri kandidat për shef të FFK-së/ FOTO: Valdrin Xhemaj

“Ka pasur punë të mira që janë bërë siç është implementimi i VAR-it, por në stadiumet tona nuk ka tualete ende, ma shumë flitet për skandalet që janë bërë, por nuk po kam qejf me hy në këto sene, sepse janë te pahijshme që t’i flas unë, qëllimi im është ta shtyjmë futbollin përpara e ta krijojmë një frymë të re që t’i japim rinisë më shumë mundësi sepse i kemi të mrekullueshëm... Për të thënë se ka pasur keqmenaxhim duhet pasur fakte dhe me këtë merren organet kompetente”, nënvizoi ai.

Ai tregoi se zyrtarisht e ka mbështetjet e 16 ekipeve, nënshkrimet e të cilave i ka dorëuar dhe la të kuptohej se mund të ketë edhe një kandidat të tretë në garë për president të FFK-së.

“Sot nuk i kemi sjell të gjitha por vetëm 16 nënshkrime, pjesa tjetër mbetet konfidenciale. I kemi dorëzuar vetëm 16 për t’iu mundësuar edhe palëve të treta që të kandidojnë sepse sa më demokratike është gara është më mirë për futbollin tonë. Sa i përket se a jam kandidat i përbashkët [Remzi] Ejupi dhe [Arianit] Ahmeti, unë jam këtu vetëm dhe përfaqësoj vetëm veten time, pra Gramos Vokrrin, dhe kam qëllim që ta shtyjmë futbollin përpara me gjithë kontribuuesit së bashku”.

Ai foli shkurtimisht edhe për programin e tij qeverisës nëse zgjidhet president, duke theksuar se ka parimor zhvillimin e futbollit të grave.

“Së pari infrastruktura pastaj riformatizim i sistemit të skoutimi për lojtarët tanë në diasporë, investimi në kuadro të reja, punësimi i vazhdueshëm i njerëzve me kompetenca të larta, gjithashtu primare e kemi edhe zhvillimin e futbollit të femrave, pra siç ju thashë gjithçka është e përpiluar.”

Lajme të ngjashme