Genc Nuza bëhet gjyqtari i parë kosovar që gjykon një ndeshje në kualifikime për një Evropian
Genc Nuza do ta shkruajë historinë duke u bërë gjyqtari i parë kosovar që gjykon në një ndeshje kualifikuese për një garë të madhe si Euro 2024.
Nuza, bashkë me ndihmësit e tij anësorët Fatlum Berisha dhe Bujar Selimaj dhe Visar Kastrati si gjyqtar i katërt, janë caktuar ta gjykojnë ndeshjen e Grupit H kualifikues mes Finlandës dhe San Marinos të hënën më 19 janar në Stadiumin Olimpik të Helsinkit.
Asnjë gjyqtari kosovar nuk ka gjykuar ndeshje të këtij niveli apo më të lartë deri më sot.
Nuza tha se ndihet krenar që do të behët gjyqtari i parë nga Kosova që i besohet gjykimi i një ndeshje të kësaj rëndësie.
“Jam shumë i lumtur për një tjetër sukses dhe se ky emërim për ndeshjen Finlandë-San Marino dëshmon edhe njëherë vlerësimin e punës time profesionale nga ana UEFA-s. Krenar dhe i nderuar të jem gjithmonë gjyqtari i parë i Kosovës i cili bënë debutime në kompeticione të rëndësishme ndërkombëtare ndër vite”, shkroi Nuza në Facebook.
Nuza është ndër gjyqtarët shumë të pakët kosovarë që ka stemë të FIFA-s.
34-vjeçari e mori stemën e FIFA-s në nëntor të vitit 2016 dhe më 2017 e gjykoi ndeshjen e parë ndërkombëtare, një miqësore mes Turqisë dhe Moldavisë.
Që prej atëherë ai ka qenë ndër gjyqtarët kryesorë të Superligës së Kosovës dhe ka gjykuar edhe ndeshje ndërkombëtare, përfshirë në kualifikime të Ligës së Konferencës si dhe ndeshje të grupmoshave.
