Gazeta izraelite: Siguri e lartë në Kosovë para ndeshjes me Izraelin në futboll
Gazeta izraelite “The Times of Israel” ka raportuar për masat e larta të sigurisë që janë ndërmarrë nga Policia e Kosovës para ndeshjes futbollistike mes Kosovës dhe Izraelit, e cila luhet të dielën në Stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë nga ora 20 e 45 minuta.
“Përderisa futbollistët e Izraelit përgatiten që të luajnë me Kosovën në kualifikueset për “Euro 2024” nesër – ndeshja e parë ndërkombëtare e tyre që nga shpërthimi i luftës në vend në tetor – policia në Prishtinë është në gjendje gatishmërie pas një vargu të shkrimeve në rrjete sociale që bënin thirrje që ndeshja të anulohej”- raporton gazeta izralite në gjuhën angleze.
“Edhe pse shumica dërrmuese e qytetarëve të Kosovës janë myslimanë, ajo e konsideron veten si shteti më pro-amerikan në botë dhe në mënyrë të vendosur i përmbahet politikës së jashtme të aleatit më të rëndësishëm të saj”- shkruan më tej gazeta izraelite.
“Megjithatë, pas fillimit të qarkullimit të dhjetëra porosive që e kritikonin fushatën ushtarake të Izraelit në Gaza nën “hashtag”-un #VrasësiteFoshnjaveNukJanëtëMirëpriturKëtu, Policia e Kosovës u ka thënë mediave lokale se i ka shtuar masat e sigurisë në mënyrë që loja të zhvillohet pa problem, si ngjarjet e tjera sportive”- thuhet më tutje në raportimin e gazetës së njohur izraelite.
Në artikull tregohet se autoritetet kosovare kanë njoftuar se secila nga 14 mijë biletat për ndeshjen e së dielës do të jenë të personalizuara dhe vetëm tifozët që i paraqesin biletën dhe letërnjoftimin do të lejohen që të hyjnë në stadium.
Federata e Futbollit e Kosovës pranoi se e kishte shqyrtuar mundësinë që loja të zhvillohej në stadium bosh për arsye sigurie. “Pas takimit me UEFA-n, u mor vendimi që loja të luhet me shikues”- u tha mediave lokale kryetari i kësaj federate, Agim Ademi.
Ai shtoi se do të ndërmerren masat e parashikuara nga rregulloret e UEFA-s, në mënyrë që pas lojës të mos ndodhë ndonjë incident i mundshëm.
Loja ishte planifikuar fillimisht që të zhvillohej më 15 tetor, por u shty pas sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor.