Gara e sivjetshme në Champions është më e hapura deri tani, a mund ta fitojë Manchester City?
Manchester City synon sot ta bëjë edhe një hap më afër drejt një titulli të madh që i mungon – Ligës së Kampionëve.
Trajneri Pep Guardiola thotë se ai do të gjykohet në suksesin që e arrin në këtë garë, por a është ky vit mundësia më e mirë e tyre për ta fituar Ligën e Kampionëve?
“Nuk ka ekip të shkëlqyer në garën e këtij sezoni”, thotë Chris Sutton, ish-futbollisti anglez dhe tani analisti i futbollit.
City, i cili është në vendin e dytë në Premierligë këtë sezon, do ta sigurojë një vend në çerekfinale nëse e mposht RB Leipzigun në ndeshjen e kthimit të një të tetës sonte në Mançester, pasi ndeshja e parë në Gjermani përfundoi baras 1:1.
Bayern Munich, Chelsea, Milan dhe Benfica janë në çerekfinale tashmë, derisa Real Madridi ka një epërsi prej 5:2 ndaj Liverpoolit nga ndeshja e parë, me ekipet italiane Napoli dhe Inter që po ashtu i kanë fituar ndeshjet e para kundër Eintracht Frankfurtit dhe Portos, përkatësisht.
“Ky sezon është shumë i çuditshëm”, tha ish-sulmuesi i Blackburn Sutton.
“Nëse do të pyeteshim cilin ekip e ke favorit për Ligën e Kampionëve, a nuk do të thoshim të gjithë Napoli tani për tani?”

“Por unë mendoj se ende s’e kemi parë Manchester Cityn në formën më të lartë. Kjo është gara më e hapur e Ligës së Kampionëve dhe në të nuk ka një ekip të shkëlqyer, ndërsa në sezonet paraprake ka mundur të kishte”, shtoi ai.
City i ka fituar nëntë trofe të mëdhenj qëkur Guardiola e mori në dorë skuadrën më 2016, por kurrë nuk është bërë kampion Evrope.
Guardiola u pyet nëse karriera e tij në City do të gjykohej nga suksesi i klubit në Evropë.
“Nuk do të thotë që pajtohem me këtë por, patjetër, do të gjykohem në këtë”, tha trajneri 52-vjeçar.
