Gabriel Jesus thotë se iu bashkua Arsenalit sepse i humbi durimi me stilin e lojës së Pep Guardiolës - NACIONALE

Gabriel Jesus thotë se iu bashkua Arsenalit sepse i humbi durimi me stilin e lojës së Pep Guardiolës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sulmuesi i Arsenalit, Gabriel Jesus, ka thënë se nën urdhrat e Mikel Artetës ndihet i lirë në fushë dhe e pranon se nuk ishte më në gjendje ta pranonte stilin e lojës së Pep Guardiolës në Manchester City.

Sulmuesi brazilian e ka gjetur veten në Emirates Stadium që prej se iu bashkua Arsenalit për rreth 50 milionë euro në korrik dhe menjëherë është bërë vendimtar në ekipin e parë të Artetës.

Duke folur para derbit të Londrës Veriore, Jesus tha se po i shijon mënyrat e ndryshme të lojës së Artetës në sistemin e Arsenalit, për dallim me ato që ia kërkonte Guardiola.

Duke folur për ESPN Brasil, Jesus tha: “Problemi ishte mënyra se si Guardiola e kupton futbollin dhe çfarë kërkon ai. Neve na takonte ta pranonin ose jo. Nëse nuk e pranon, ‘faleminderit’ dhe të ikim për një sfidë tjetër”.

“E pranova për një kohë, por pastaj erdhi një çast kur thashë: ‘E dua një gjë tjetër për veten time.’ E falënderova atë për gjithçka dhe ai më kuptoi dhe ecëm përpara”, shpjegoi ai.

Sulmuesi 25-vjeçar i dha fund qëndrimit katërvjeçar e gjysmë në Etihad Stadium në fillim të kësaj vere, pas ardhjes së dyshes Erling Haaland dhe Julian Alvarez.

“Këtu në Arsenal është ndryshe. Futbolli është ndryshe – lojtarët ndryshe, mënyra se si luajnë ndryshe. Në City, ishte ndryshe. Sulmuesi nuk prekte topin aq shumë, por këtë e vëren duke i shikuar ndeshjet”.

“Dhe kur vinte koha për ta prekur topin, nuk ishte sulmuesi, sepse Guardiola e vendoste edhe një mesfushor për t’u afruar. Në rregull, vendosa të ndryshoj”, vazhdoi ai.

Ai tregoi se kishte biseduar shumë me Artetën për stilin e lojës së Arsenalit para se t’i bashkohej klubit.

“Jam i lirë në fushë tani, luaj futboll me buzëqeshje në fytyrë dhe përpiqem ta jap më të mirën tërë kohën”, përfundoi ai.

Lajme të ngjashme