Gabon Manchester City, ndalet në shtëpi nga Evertoni
Kampioni aktual i Premierligës, Manchester City, nuk ka arritur të marrë më shumë se një barazim 1:1 në shtëpi ndaj skuadrës e cila është në pjesën e fundit të tabelës, Everton, kështu duke bërë një hap fals në garën për titull.
Për pikën shumë të vlefshme, padyshim meritat i takojnë portierit anglez, Jordan Pickford, i cili në minutat e fundit u shndërrua në hero, duke ndalur një goditje mjaft të rrezikshme të qytetarëve.
Skuadra e Pep Guardiolas në pjesën e parë ishte skuadra e vetme në fushë, duke dominuar takimin në tërësi, por që munguan rastet e pastra për gol.
Ishte një goditje e vetme gjatë 45 minutave të para në drejtim të portës dhe ajo përfundoi prapa krahëve të Pickford.
Ishte një asistim i Ryad Mahrez, i cili gjeti në zonë ‘mbretin’ e golave, Erling Haaland, për të shënuar për epërsinë 1:0 në minutën e 24-të.
Ky për norvegjezin ishte goli i 21-të në Premierligë në 15 ndeshje të zhvilluara, në sezonin e tij të parë në ligën më të fortë në botë. Statistikë mbresëlënëse, që lë shumë kritikë të heshtur, pasi të njëjtit dyshuan në ambientimin e shpejt të tij në elitën angleze.
Pjesa e parë më nuk prodhoi asgjë, me dy skuadrat që shkuan në pushimin mes dy pjesëve me rezultat 1:0 në të mirë të qytetarëve.
Edhe pjesa e dytë ishte e vakët, me mungesë të rasteve të krijuara nga dy skuadrat, por me Cityn që vazhdonte dominimin në posedim të topit.
Evertoni arriti që në goditjen e parë në portë të barazonte rezultatin.
Ky gol erdhi në minutën e 64-të, ku shënoi Demarai Gray, një gol vërtetë shumë të bukur në këndin e epërm të portës, duke lënë pa gjasa brazilianin, Ederson Moares, për rezultatin 1:1.
Gola në vazhdim më nuk pati, dhe për këtë më meritori ishte Pickford që bëri një pritje shumë të mirë në 10 minutat e fundit të kohës së rregullt, që në fund doli të ishte vendimtare për skuadrën që po lufton për mbijetesë në këtë sezon.
City vazhdon të mbetet në pozitën e dytë, me katër pikë më pak se lideri, Arsenali, e cila ka një ndeshje më pak të zhvilluar, ndërsa Everton momentalisht është e 16-ta me vetëm tri pikë larg vendit të fundit.
Përmbledhja nga takimi Manchester City - Everton:

