Futbollisti turk në gjendje të rëndë, pasi kërceu nga ballkoni i shtëpisë pas tërmetit
Futbollisti i lindur në Gjermani Baris Basdas është lënduar rëndë, pasi ka kërcyer nga ballkoni i katit të dytë të shtëpisë së vet në përpjekje për t’i shpëtuar tërmetit që tronditi Turqinë të hënën.
Tmerri i tërmetit të fuqishëm në Turqi i ka prekur edhe futbollistët në këtë vend, pasi raportohet se disa prej tyre kanë mbetur nën rrënoja dhe disa të tjerë janë lënduar.
Klubi i Basdas, Yeni Malatyaspor, i cili bën gara në kategorinë e dytë të futbollit turk, njoftoi se portieri dhe bashkëlojtari i 33-vjeçarit ka vdekur nën rrënojat e tërmetit.

Menaxherit të Basdas, Serdar Topcu, ka thënë se futbollisti nga Kolni i Gjermanisë kërceu nga kati i dytë i shtëpisë, duke e lënduar rëndë këmbën dhe ndodhet në spital. Gjendja e tij është e rëndë për shkak të lëndimeve të tjera, sipas tij.
Bashkëlojtari i tij Ahmet Eyup Turkaslan ka vdekur nën rrënoja, ndërsa bashkëshortja e tij është nxjerrë e gjallë nga rrënojat. Gjendja e saj nuk dihet ende.
Një tërmet i fuqishëm 7.8 ballësh e goditi Turqinë jugore dhe Sirinë veriore të hënën herët në mëngjes, duke i vrarë 4.890 njerëz në të dy vendet.
Numri i përgjithshëm i të vdekurve nga tërmeti në Turqi që prej ditës së hënë është rritur në 3.381, sipas autoriteteve vendase. Raportohet se 20.426 janë lënduar.
Në Siri thuhet të kenë vdekur mbi 1.500 njerëz nga ky tërmet në zonat e kontrolluara nga qeveria dhe nga rebelët.
Sipas të dhënave të fundit, numri i përgjithshëm i të vdekurve në të dy vendet tani arrin në 4.890.
Turqia është njëra prej zonave më aktive të tërmetit në botë, për shkak të pozitës gjeografike.
Shumica e Turqisë ndodhet në pllakën tektonike të Anadollit, e cila ndodhet mes pllakave të mëdha – euroaziatike dhe afrikane – si dhe mes një të vogle, arabike. Derisa dy pllakat e mëdha lëvizin, Turqia shtrydhet, thonë ekspertët.

Kjo nënkupton se tërmetet janë shumë të zakonshme në Turqi. Sipas Autoritetit për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë, në vitin 2022 u regjistruan hiç më pak se 22 mijë tërmete në Turqi.
Shumica e tërmeteve në këtë vend janë vdekjeprurëse. Tërmeti më i madh që e kishte goditur Turqinë deri sot ishte 7.6 ballësh në Izmit më 1999, duke i vrarë 17 mijë njerëz.
Tërmeti që goditi mëngjesin e sotëm, 7.8 ballësh, është më i madh që është regjistruar ndonjëherë në Turqi.
