Futbollisti çek: S’e kam parë xhehenemin kurrë, por tani e di si duket pas tërmetit në Turqi - NACIONALE

Futbollisti çek: S’e kam parë xhehenemin kurrë, por tani e di si duket pas tërmetit në Turqi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Futbollisti çek i Gaziantep FK, Matej Hanousek, i ka përshkruar si 30 sekonda ferri çastet kritike nëpër të cilat kaloi gjatë tërmetit vdekjeprurës që e goditi Turqinë të hënën.

Turqia jugore dhe Siria veriore u goditën nga një tërmet i fuqishëm 7.8 ballësh të hënën herët në mëngjes, i cili i ka vrarë mbi 17 mijë njerëz në të dy vendet.

Hanousek ndodhej në shtëpinë e vet në Gaziantep bashkë me bashkëshorten dhe djalin 3-vjeçar, kur ndodhi tërmeti mëngjesin e hershëm të së hënës.

U zgjova rreth orës 5 në mëngjes. Kurrë në jetën time s’e kam parë ferrin, por tani e parafytyrojë se duket sikur Gaziantepi. Kjo është masakër”, tregoi Hanousek.

Mbrojtësi anësor tregoi se ishte strehuar në qendrën stërvitore të klubit, pasi kishte ikur nga shtëpia tashmë pothuajse e shkatërruar nga tërmeti i fuqishëm.

Ai shtoi: “Është e vështirë ta krahasosh me çfarëdo qoftë. Kalova nëpër 30 sekonda të ferrit. Ka mundur të ndodhte gjithçka. Nga dritarja i pashë njerëzit duke ikur, duke tentuar të ikin me vetura sa më larg ndërtesave. Fillova menjëherë të marrë shumë mesazhe nga klubi se duhej të shkoja në qendrën stërvitore me lojtarët e tjerë sepse atje ishim të sigurt.”

Unë, gruaja ime shtatzënë dhe djali ynë 3-vjeçar u veshëm shpejt, i morëm pasaportat dhe gjërat më të nevojshme dhe ikëm. Të jem i sinqertë, tani i shmang fotografitë e këtij tërmeti në rrjetet sociale, sepse i kam parë më herët. Do të kthehem në Prag”, përfundoi ai.

Tërmeti i tmerrshëm, i cili goditi në orët e hershme të mëngjesit të së hënës, i ka prekur edhe shumë sportistë në Turqi.

Deri tani raportohet për disa sportistë të vdekur dhe shumë të tjerë të lënduar gjatë tërmetit.

Numri i përgjithshëm i të vdekurve nga tërmeti në Turqi që prej ditës së hënë është rritur në 14 mijë, sipas autoriteteve vendase.

Në Siri thuhet të kenë vdekur mbi 3 mijë njerëz nga ky tërmet në zonat e kontrolluara nga qeveria dhe nga rebelët.

Turqia është njëra prej zonave më aktive të tërmetit në botë, për shkak të pozitës gjeografike.

Shumica e Turqisë ndodhet në pllakën tektonike të Anadollit, e cila ndodhet mes pllakave të mëdha – euroaziatike dhe afrikane – si dhe mes një të vogle, arabike. Derisa dy pllakat e mëdha lëvizin, Turqia shtrydhet, thonë ekspertët.

Kjo nënkupton se tërmetet janë shumë të zakonshme në Turqi. Sipas Autoritetit për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë, në vitin 2022 u regjistruan hiç më pak se 22 mijë tërmete në Turqi.

Shumica e tërmeteve në këtë vend janë vdekjeprurëse. Tërmeti më i madh që e kishte goditur Turqinë deri sot ishte 7.6 ballësh në Izmit më 1999, duke i vrarë 17 mijë njerëz.

Tërmeti që goditi mëngjesin e sotëm, 7.8 ballësh, është më i madh që është regjistruar ndonjëherë në Turqi.

Lajme të ngjashme