Formacionet zyrtare: Dinamo Zagreb - Ballkani, 'Xhebrailat' synojnë fitoren dhe kualifikimin historik - NACIONALE

Formacionet zyrtare: Dinamo Zagreb - Ballkani, 'Xhebrailat' synojnë fitoren dhe kualifikimin historik

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kampioni i Kosovës, Ballkani, sot zhvillon ndeshjen e fundit në kuadër të fazës së grupeve të Ligës së Konferencës, ku takohet me gjigantin kroat, Dinamo Zagreb. Fitorja është kusht për 'Xhebrailat', që të shpresojnë në një kualifikim në fazën eliminimit direkt, hap ky historik që nuk është arritur asnjëherë nga një skuadër shqiptare.

Përballja e parë mes dy skuadrava përfundoi me fitore të Ballkanit në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, me rezultat 2:0 me golat e Almir Kryeziut dhe Walid Hamidit.

Ndeshja e sotme është jetike për të dy skuadrat, që janë në garë për vendin e dytë në tabelë së bashku me Astanën, pasi Viktoria Plzen tashmë ka siguruar vendin e parë me të gjitha fitore.

Formacionet zyrtare:

Të dy trajnerët kanë vendosur për 11-shet që do t'i vendosin sot në fushë.

Sergej Jakirovic ka vendosur skemën e zakonshme 4-2-3-1, me Petkovic që do ta kryesojë sulmin.

Dinamo Zagreb:
Zagorac; Sutalo, Peric, Ristovski, Perkovic; Sucic, Misic; Vidovic, Kaneko, Baturina; Petkovic.

Në anën tjetër, homologu i tij, Ilir Daja, me formacionin e zakonshëm 4-3-3 do të paraqitet edhe sot.

Ballkani: Koliçi; Thaqi, Halili, Jashanica, Trashi; Dellova, Kuc, Zyba; Gripshi, Walid Hamidi dhe Albin Berisha.

Matematikat që dërgojnë Ballkanin në fazën e eliminimit direkt

Skuadra e Ilir Dajës momentalisht gjendet në vendin e fundit me katër pikë, aq sa ka edhe Astana e vendit të tretë, ndërsa ka dy pikë më pak se kundërshtari i sotëm Dinamo Zagreb që gjendet në vendin e dytë.

Ballkani duhet të fitojë patjetër që ta bëjë hapin historik, por fitorja mund të jetë e pamjaftueshme, pasi varet edhe nga rezultati i ndeshjes Viktoria Plzen - Astana, ku kampioni i Kosovës duhet të shpresojë që këta të fundit të humbasin apo të barazojnë.

Pra, thënë shkurt, Ballkani kërkon fitoren medoemos, por pret që Astana të humbasë apo të barazojë, në mënyrë që ta bëjë atë që asnjë skuadër shqiptare nuk ka arritur ndonjëherë, kalimin e fazën grupore.

Përballja zhvillohet më fillim nga ora 21:00 në Maksimir të Kroacisë.

Lajme të ngjashme