FFK-ja në gjumë, klubet kosovare detyrohen të aplikojnë përmes Shqipërisë për grante të UEFA-s - NACIONALE

FFK-ja në gjumë, klubet kosovare detyrohen të aplikojnë përmes Shqipërisë për grante të UEFA-s

1 vit më parë

nga Ekrem Idrizi

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) është kritikuar për mungesë vullneti për zhvillimin e futbollit në vend, pasi një klub kosovar është detyruar të aplikojë përmes Shqipërisë në një thirrje të UEFA-s për një grant deri në 1.2 milion euro për promovimin e të drejtave themelore të fëmijëve përmes sportit.

Kosova nuk shfaqet fare në Fondacionin e UEFA-s për Fëmijë, megjithëse është anëtare me të drejta të plotë në shtëpinë e futbollit evropian që prej vitit 2016.

"Drenica" është detyruar ta zgjedhë Shqipërinë si shtet përmes të cilit duhej të aplikonte për grantin e UEFA-s, pasi Kosova nuk ka qenë në mesin e shteteve nga ku mund të aplikosh drejtpërdrejt.

Drejtori sportiv i Drenicës, Taulant Dajaku, e ka fajësuar FFK-në për mosekzistimin e Kosovës në këtë fondacion të UEFA-s, duke e kritikuar atë për mungesë vetëveprimi dhe interesimi për t’i ndihmuar klubet e veta anëtare.

“Sigurisht ne duhet të kemi në federatë një seksion ekspertësh të projekteve dhe granteve në FFK. Sot ne nuk kemi dhe kjo është pika ku ne s’mund të marrim fonde të pafundme që janë të dedikuara për vende të varfra”, tha Dajaku për Gazetën Nacionale.

FFK-ja është kritikuar pse s’i ka këshilluar dhe ndihmuar klubet e veta anëtare të aplikojnë për grante të tilla në UEFA, pjesë e së cilës është tash e gjashtë vjet, pasi Drenica është klubi i parë që aplikon për grant të tillë, sipas Dajakut.

Drenica është dashur ta përzgjidhte Shqipërinë si shtet dhe pastaj Kosovën si nëndegë kur ka aplikuar për grantin në fjalë.

Dajaku thotë për Nacionale se i është dashur të flasë me zyrtarë të UEFA-s për javë të tëra derisa i është mundësuar të aplikojë përmes Shqipërisë.

“Edhe pse ne jemi anëtare me të drejta të plota në UEFA dhe FIFA, Kosova nuk gjendet këtu. Kjo është fotoja që e dëshmon. Unë për 10 ditë rreshta i kam shkruar UEFA-s dhe kujtdo nga instancat e larta në Nyon për këtë gjë, do të thotë pas reagimit ata e inkorporuan [Kosovën] në një seksion me Shqipërinë dhe në këtë formë kemi aplikuar tashmë”, theksoi ai.

Ai shtoi: "Vështirësitë kanë qenë të mëdha për shkak se pas diskutimit me fondacionin e UEFA-s kam kuptuar se asnjëherë një projekt nga Kosova s’ka aplikuar tek ta, prandaj meqë ndodhi për herë të parë, ata e integruan të selektuar në ‘Albania’, por me specifike zonë të caktuar ‘Kosova’. Shpresoj që gjërat të përmirësohen në të gjitha aspektet qoftë edhe te stafit administrativ në nivel ekspertësh te projekt-menaxhimit, sepse kjo gjë do ta lehtësonte dhe ndihmonte shumë futbollin tonë, pasi ka fonde prej miliona eurosh që mund të përdoren në projekte konkrete, nëse do të kemi ekspertizën e duhur për të shkruar projektet adekuate.”

Çfarë është ky projekt?

Përmes këtij projekti, Drenica synon ndërtimin e një qendre trajnuese për t’i ndihmuar fëmijët në sport dhe arsimim, si dhe t’u ofrojë atyre barazi.

Projekti i titulluar “Different, Similar, Equal” i Drenicës në bashkëpunim me Komunën e Skënderajt, ka vlerën e 240 mijë eurove në vitin e parë, por vlera mund të rritet deri në 1.2 milion euro nëse projekti vazhdohet për pesë vite të tjera.

“Projekti jonë e ka një kosto bashkëpunimi me KK Skënderaj prej 240,000€ në vitin e parë, por që do ketë synim për vazhdim në një cikël 5-vjeçar, që dmth Kosova do ta fitojë një fond 1.2 milion euro, dhe në këtë projekt do të ishin të përfshirë 700 fëmijë, një pjesë vajza dhe fëmijë me nevoja të veçanta, të cilët s’do të marrin vetëm leksione futbolli por edhe trajnime për mësime shkollore plotësuese, kurse të gjuhëve të huaja dhe mbi të gjitha trajnime për vullnetarizëm social dhe sigurisht ndihmesë në ndërtim karriere”, shpjegoi ai.

Lajme të ngjashme