FFK-ja e dënon sulmin ndaj Statovcit, por hesht për racizmin e rastet kur s’i konvenon
Federata e Futbollit e Kosovës, FFK, e ka dënuar sulmin fizik ndaj trajnerit dhe analistit të futbollit, Faruk Statovci, në një reagim të rrallë të saj kur gjëra të shëmtuara ndodhin në futbollin vendor.
Shtëpia e futbollit, e udhëhequr nga Agim Ademi, njihet për heshtjen e saj në rastet abuzimit racor në futbollin kosovar.
Statovci, trajneri i Kosovës U15, tha se sulmua me shkopinj bejsbolli nga persona të maskuar të dielën pas mesnatës në parkingun e ndërtesës ku banon në Prishtinë.
43-vjeçario, i cili njihet si analist i zëshëm dhe drejtpërdrejt në përkrahje të FFK-së në debatet televizive, kishte qenë duke u kthyer nga një emision televiziv kur ishte sulmuar në hyrje të ndërtesës ku jeton.
Në një reagim në uebsajtin e vet, shtëpia e futbollit shkroi: “FFK e dënon ashpër dhunën e ushtruar ndaj trajnerit Statovci, i cili tash e sa kohë me përvojën dhe intelektin e tij kontribuon edhe në cilësi të analistit në disa emisione sportive në televizionet vendore.”
FFK-ja, e cila është përgjegjëse për organizimin dhe mbarëvajtjen e futbollit në vend, iu ka ikur përgjegjësive të veta në raste abuzimi apo dhune në futbollin vendor në kohët e fundit.
Në të paktën katër raste të racizmit të dokumentuar nga zyrtarë të saj apo njerëz të Superligës së futbollit në 12 muajt e fundit, FFK-ja ka heshtur dhe nuk i ka mbajtur ata përgjegjës për veprimet e shëmtuara.
Në fillim të marsit, kryetari i Lulzim Berisha, e kishte përdoru një term të pastër racizmi ndaj zyrtarit të FFK-së, Artan Govori. “Mos shpikni se shqiptarë jemi, s’jemi maxhup”. Berisha ishte i zemëruar pse Govori po e akuzonte Agim Ademit për sulm fizik ndaj tij.
Asnjë reagim apo dënim nga FFK-ja për këtë rast.
Më vonë gjatë vitit, kapiteni i Drenicës, Shkëlzen Lushtaku, e kishte fyer në baza racore një futbollist brazilian të Gjilanit, duke e quajtur “maxhup” gjatë një ndeshjeje të Superligës së Kosovës.
Megjithëse ky veprim është i dënueshëm të paktën me 5 ndeshje, FFK-ja lëre që nuk e dënoi, por as nuk hapi procedurë ndaj Lushtakut bile. Të reagojë as që u bë fjalë.
Në dhjetor, gjatë Kupës së Botës 2022 në Katar, trajneri i Kosovës U21, Afrim Tovërlani, e fyeu në baza racore mbrojtësin e Gjermanisë, Antoni Rudiger, duke e quajtur “qymyr” drejtpërdrejt në një emision televiziv.
Asnjë reagim apo dënim nga FFK-ja për këtë rast.
Dhe tani në janar, njëri prej rasteve më tronditëse në futbollin kosovar kohëve të fundit, presidenti i Ferizaj, Lulzim Abazi, e abuzoi në zyrën e vet lojtarin me ngjyrë nga Franca, Moussa Kamara, duke e quajtur “majmun”, vetëm pasi ai nuk kishte pranuar të lunte pa kontratë për Ferizajn.
Dëshmia e Kamarasë dhe audio-incizimi i publikuar nga Gazeta Nacionale më vonë, ku dëshmohet racizmi i Abazit, nuk i mjaftuan FFK-së për të reaguar dhe për ta dënuar presidentin racist të klubit nga liga elitare kosovare.
Jo vetëm që nuk e dënoi, por FFK-ja ia rezervoi një ulëse në rreshtin e parë në Kuvendin e Jashtëzakonshëm më 27 janar, dy javë nga publikimi i audio-incizimit, sepse Ademit i konvenonte vota e Abazit për ta miratuar Statutin e ri të federatës dhe kjo dënimi.



