FFK-ja e ul në rreshtin e parë kryetarin racist të Ferizajt në Kuvendin e Jashtëzakonshëm
Kryetari i FC Ferizajt, Lulzim Abazi, është parë i pranishëm në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të Federatës së Futbollit, FFK, vetëm dy javë nga publikimi i audio-incizimit nga Gazeta Nacionale ku ai dëgjohet duke e abuzuar në mënyrë raciste një lojtar me ngjyrë.
Në vend se të hapë procedurë dhe ta mbajë përgjegjës për abuzimin racor ndaj ish-lojtarit të Ferizajt, Moussa Kamara, FFK-ja e ka ftuar Abazin në mbledhjen e jashtëzakonshme e dëshpëruar për ta miratuar një Statut të ri të dyshimtë.
Abazi u pa duke votuar në favor të Statutit të dyshimtë, i cili u miratua me 48 vota pro, asnjë kundër dhe një abstenim. Pesë delegatë e braktisën mbledhjen.
Me gjithë dëshmitë e ofruara në audio-incizim dhe deklaratën e futbollistit, Abazi nuk është dënuar. FFK-ja nuk është lodhur as të hapë procedurë disiplinore ndaj tij madje.

Abazi nuk është deklaruar asnjëherë për rastin, as kur Nacionale ka provuar të kontaktojë me të.
“Për pesë ditë po më bën problem ti mua, majmun”
Abazi e kishte abuzuar Kamaran në nëntor të vitit 2022, duke e quajtur majmun, pasi ai s’e kishte pranuar kërkesën e tij për të qëndruar në klub edhe për disa ditë të tjera pas skadimit të kontratës, për ndeshjen e fundit të klubit në pjesën e parë të këtij sezoni në Superligë.
Kamara, 23 vjeç, kishte nënshkruar marrëveshje afatshkurtër me Ferizajn, nga 6 tetori 2022 deri më 20 nëntor 2022, dhe vendosi përfundimisht të largohej pas skadimit të saj, para se të abuzohej nga kryetari i klubit për mosvazhdimin e saj.
Abazi dëgjohej duke i thënë Kamaras: “Ti nuk je njeri i mirë. Ti je djalë i keq, mashtrues je. Ti nuk je mysliman. Ec, hajde. Hajde në p*dh të nanës. Nesër banesën me lëshu. Nuk të lejoj më në banesë. Shko në Francë lypi paratë prej Francës. As biletën e aeroplanit nuk ia paguaj. Pesë ditë ti problem mua a? Në p*dh të nanës, hajde ec. Në p*dh të nanës shko, majmun”.
Kamara e dinte paraprakisht kuptimin e fjalës majmun dhe i reagoi menjëherë Abazit, siç dëgjohet në incizim, duke e konfrontuar: “Majmun a? Monkey a?”
Kamara kishte thënë për Nacionalen se Abazi ishte njeriu i vetëm me të cilin kishte telashe gjatë qëndrimit pothuajse dymujor në Ferizaj dhe se asgjë nuk ishte siç ishte premtuar në kontratën afatshkurtër.
I pyetur se si ishte ndier kur e kishte dëgjuar fjalën majmun, të cilën e kuptoi menjëherë siç u mor vesh edhe nga incizimi, Kamara tha: “Kur luaj nuk jam majmun, por tani që nuk pajtohem me ty jam majmun. Nuk është e drejtë. Si mund ta trajtosh një njeri kështu si mut? Ky njeri, për shkak se është i pasur, mendon se është mbi të tjerët. Por të gjithë janë të njëjtë.”
“Ti mund ta quash dikë majmun sepse mendon se bëri problem për pesë ditë? Pse nga të gjitha fjalët e botës në gjuhën ai e zgjodhi fjalën majmun. Jo, jo, në ndeshje dhe rrugë jo. I vetmi me të cilin kisha telashe gjatë qëndrimit në Kosovë ishte presidenti.”
