Trajneri i Kosovës U21 Tovërlani vijon të shfaqet në TV, pavarësisht deklaratës raciste një natë më herët - NACIONALE

Trajneri i Kosovës U21 Tovërlani vijon të shfaqet në TV, pavarësisht deklaratës raciste një natë më herët

1 javë më parë

nga NACIONALE

Trajneri i Kombëtares së Kosovës për gjeneratën U-21, Afrim Tovërlani, po vazhdon paraqitjet e tij në emisionin ‘Dueli Botëror’ në Rtv Dukagjini, edhe pse një natë më parë bëri një deklaratë raciste drejtuar futbollistit të Kombëtares gjermane, Antonio Rudiger.

Derisa ishte duke folur në “Dueli Sportiv” dje, Tovërlani tregoi se e ka irrituar Antonio Rudiger, duke iu drejtuar pastaj me “ngjyrë qymyri”.

"Ishte katastrofë, edhe me të tregu drejtë qaq shumë më ka irritu ai Rudigeri me ngjyrë qymyri derisa ishin në avantazh me rezultat 1:0".

Tovërlani është panelist i rregullt në këtë emision sportiv që do të transmetohet deri në përfundimin e Botërorit, ku së bashku me Ismet Munishin e Bylbyl Sokolin, janë të vetmit të ftuar të përhershmëm.

Ndonëse në deklarata të tilla në studiot më të mëdha të kushtuara futbollit nuk do të duhej që të toleroheshin, emisioni 'Dueli Botëror' nuk vendosi për një pezullim, me Tovërlanin që vazhdon paraqitjet e tij televizive.

Trajneri i shumë skuadrave kosovare gjatë emisionit të kësaj mbrëmje kërkoi falje sërish, duke thënë atë që tha edhe në një postim në Facebook, por që e theksoi disa herë që nuk ka të bëjë asgjë me racizmin.

“Nuk ka shumë më tepër për të thënë se atë që kam postuar në profilin tim në Facebook. Një gafë e imja që ishte një gabim i imi dhe kam kërkuar falje për një gjë të tillë, mirëpo e vërteta qëndron se nuk kam lidhje me racizmin. Këtë e argumentoj edhe me shumë klube ku kam punuar, ku kam pasur futbollistë afrikanë dhe asnjëherë nuk kam pasur probleme as më të voglin me ta e as nuk i kam dalluar nga të tjerët. Domethënë një gabim të timin që me të drejtë e shfrytëzuan mediat për t’i dhënë një pompozitet, por unë prapë e them se nuk kam të bëjë asgjë me racizmin.”

Ai vazhdoi tutje duke thënë se ishte vetëm një shprehje e thënë në afekt dhe sipas tij me vetëm këtë shprehje tërë karrierën e tij e çuan dëm, duke e krijuar një racist të paqenë.

“Një deklaratë timen që e kam thënë në afekt, pa asnjë qëllim, i kërkoj falje edhe Federatës e cila nuk ka të bëjë asgjë me këtë gjë. Një gafë e imja që do të përballem, por ishte e tepërt sipas meje që u bo aq e madhe, pasi një karrierë 43-vjeçare në futboll u çua dëm, duke u thënë shumëçka e duke krijuar një racist të paqenë.”

Nga Federata e Futbollit të Kosovës ende nuk ka pasur një reagim për deklaratat e Tovërlanit, por racizmi nga shtëpia e futbollit dënohet deri në gjashtë muaj pezullim dhe mbetët të shihet a do të ndërmerret ndonjë veprim, apo do të heshtet si në rastin e futbollistit të Drenicës, Shkëlzen Lushtaku.

Lajme të ngjashme