“Federata e ka dhënë komunikatën”, Foda refuzon të komentojë përjashtimin e tre yjeve, flet vetëm për fitoren
Përzgjedhësi Franco Foda është ndarë i lumtur me fitoren ndaj Qipros, mirëpo ka refuzuar të komentojë përjashtimin e tre yjeve para ndeshjes.
Edon Zhegrova, Aro Muric e Florent Muslija u përjashtuan nga grumbullimi shkaku që thyen rregullat, megjithatë nuk është që u dhanë shumë detaje.
Pas fitores ndaj Qipros, Foda është pyetur për këtë situatë, sidoqoftë refuzoi të flet duke thënë se Federata ka publikuar komunikatën.
“Përjashtimi i tre yjeve? Federata e ka dhënë një komunikatë, unë dhe ekipi ishim fokusuar vetëm te ndeshja me Qipron”.
Ndërkohë, tekniku gjerman është ndarë i lumtur me fitoren e arritur dhe mënyrën si luajti skuadra, kurse komentoi edhe lëndimin e Vedat Muriqit.
“Kemi analizuar lojën e parë që Qipro e ka zhvilluar ndaj Lituanisë, ku fitoi me rezultat 1:0. Jemi fokusuar në përfundimin e aksioneve, më saktësisht si të luajmë në pjesën e tretë të fushës sepse Qipro është shumë kompakte. Por pasi shënuam herët golin e parë, e kishim më të lehtë të shënonim të dytin e pastaj të tretin dhe të katërtin”.
“Rrudhani luajti si mbrojtës, por t’iu kujtoj se është mesfushor i krahut, ndërsa nganjëherë luan edhe si sulmues. Por, kur kemi bërë analizën, kemi parë që kemi më shumë shpejtësi sidomos këto karakteristika që i ka Donati. Është shumë i mirë në rastet një kundër një, niset me shpejtësi të madhe prandaj vendosëm për ta”.
“Muriqi? Vedati ka shfaqur probleme të vogla edhe me Rumaninë, më pas në dy stërvitje nuk ka qenë me ekipin. Vendimi për të luajtur erdhi vonë, pra në mesditë kur bëri testimet e fundit. Por, në fundin e pjesës së parë ndjeu sërish dhimbje muskulore, prandaj e zëvendësuam”.
“Debutimi i Bujupit? Absolutisht Elioti ka treguar punë të madhe në stërvitje. Puna që ka bërë në stërvitje është arsyeja që i kemi dhënë minuta sonte. Është lojtar me potencial dhe besoj që e ardhmja e tij te Kosova është e madhe”.
“Patjetër duhet të tentojmë vetëm për fitore në muajin tetor, nëse duam të shpresojmë të përfundojmë të parët në grup. Duhet të kemi parasysh që kemi marrë përgjigje të mira nga futbollistët që kanë pasur ngritje në periudhën e fundit. Të shohim dhe të presim për lojtarët e ftuar për ndeshjet e tetorit”.
“E njëjta vlen për Lumbardh Dellovën, i cili ka qenë i lënduar në ditët e para dhe nuk ka stërvitur me skuadrën, por sonte e dëshmoi se është futbollist i rëndësishëm”.