Federata angleze nis hetim ndaj Arsenalit, pas ndeshjes me Manchester City - NACIONALE

Federata angleze nis hetim ndaj Arsenalit, pas ndeshjes me Manchester City

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Federata e Futbollit e Anglisë e ka nisur një hetim ndaj Arsenalit, pasi tifozët e tij hodhën sende ndaj mesfushorit të Manchester City, Kevin de Bruyne, gjatë përballjes së tyre në Premierligë të mërkurën në Emirates.

Në një betejë të egër ashtu siç pritej mes dy ekipeve të para në tabelë, Kevin de Bruyne e kaloi në epërsi ekipin vizitor duke e shfrytëzuar një top të kthyer mbrapa gabimisht nga Takehiro Tomiyasu në pjesën e parë.

Bukayo Saka e barazoi rezultatin në 1:1 nga penalltia, pas një faulli të portierit Ederson ndaj Eddie Nketiah, para se Jack Grealish dhe Erling Haaland të shënonin kah fundi i ndeshjes për t’ia fituar Cityt tri pikë shumë vendimtare në garë për titull.

Mesfushori belg u zëvendësua në minutën e 87-të dhe derisa po ecte rrugës drejt bankës rezervë skajit të fushës, tifozët e Arsenalit e gjuajtën me shishe të plastikes.

Ky incident u përfshi në raportin zyrtar të ndeshjes të gjyqtarit.

Përkundër armiqësisë, De Bruyne qeshi me tifozët të cilët po hidhnin shishe plastike të birrës mbi të afër flamurit të kornerit.

Madje 31-vjeçari bëri shaka me këtë incident me vonë në një reagim në rrjetet sociale.

A do birrë dikush”, shkroi De Bruyne në Instagram në përshkrimin e një fotografie ku shishja plastike e birrës shihet e hedhur nga tifozët.

Ai pastaj e postoi edhe një fotografi tjetër ku shishja e plastikes po shkonte në drejtim të tij, me përshkrimin: “Faleminderit!

Në një natë plotë ngjarje në Londrën veriore, De Bruyne po ashtu u përfshi edhe në një zënkë me trajnerin e Arsenalit Mikel Arteta.

Ndërkohë, Pep Guardiola e ka lartësuar cilësinë e skuadrës së vet pas fitores, por paralajmëroi se gara për titull në ligë ende është shumë e gjatë.

Nuk është e lehtë të luash kundër tyre, ata e ndërtojnë lojën shumë mirë. Në fund cilësia e lojtarëve tanë e bëri dallimin”, tha Guardiola.

Pasi e mposhti Manchester Unitedin më 22 janar, Arsenali ishte lider me pesë pikë më shumë se City plus një ndeshje më pak të zhvilluar, por e ka fituar vetëm një nga nëntë pikët e mundshme që prej atëherë.

Mikel Arteta, ndërkohë, tha se tani ka edhe më shumë besim se skuadra e tij mund ta fitojë titullin në Premierligë, pavarësisht disfatës.

“Tani kam më shumë besim seç kisha para kësaj ndeshje. Me paraqitjen dhe nivelin e lojës që bëri ekipi, ne ndienim se mund t’i mposhtnim ata”, nënvizoi Arteta.

Arsenali mund të rikthehet në krye të tabelës në Premierligë nëse e mposht Aston Villën të shtunën pasdite. City, ndërkohë, përballet me Nottingham Forest po ashtu të shtunën.

City dhe Arsenali do të takohen përsëri, këtë herë në Etihad, në muajin prill.

Lajme të ngjashme