Manchester City fiton derbin kundër Arsenalit, rrëmben pozitën e parë - NACIONALE

Manchester City fiton derbin kundër Arsenalit, rrëmben pozitën e parë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Manchester City ka fituar 3:1 kundër Arsenali sfidën në “Emirates”. Kampionët në fuqi treguan të gjithë përvojën e tyre në një sfidë maksimalisht të luftuar.

Lojë shumë e rivalizuar dhe shumë e ashpër në duele ishte ajo në derbin e sontëm mes Arsenalit dhe Manchester Cityt. Megjithatë, mysafirët përfituan që në minutën e 24-të nga një pakujdesi e mbrojtjes vendëse.

De Bruyne shfrytëzoi siç ishte më së miri gabimin e Tomiyasu. Në momentin e pranimit të topit nuk hezitoi dhe parabolloi portierin kundërshtar, duke shënuar për 1:0.

Arsenali nuk u dorëzua. U vu në sulm duke e kërkuar golin e barazimit. Atë e arriti në fundin e pjesës së parë nga pika e bardhë.

Në minutën e 42-të ylli anglez, Saka, mori përgjegjësinë për ekzekutimin e 11-metërshit. Pa problem mposhti Edersonin duke barazuar rezultatin në 1:1.

Në pjesën e dytë loja u bë akoma edhe më e ekuilibruar, edhe pse goditjet në kuadrat ishin në të mirë të mysafirëve, që u treguan mjaft pragmatikë.

Grealish në minutën e 72-të arriti që ta rikthejë epërsinë në favor të kampionëve në fuqi. Pasi u shërbye nga Gundogan, ai brenda zonës nuk gaboi, duke shënuar për 2:1.

Ndërkaq goli i sigurisë dhe i vulosjes së fitores erdhi në minutën e 82-të nga sulmuesi “përbindësh”, Haaland. I mjaftoi një pranim i topit në 16-metërsh për ta ndëshkuar portierin Ramsdale.

Pas kësaj fitore Manchester City rrëmbeu pozitën e parë tabelore me 51 pikë. Po aq pikë kanë edhe “Topçinjtë”, por goldallimi është në të mirë të skuadrës së udhëhequr nga Guardiola.

Megjithatë, duhet pasur parasysh faktin që Arsenal ka edhe një ndeshje më pak për ta zhvilluar. Si rrjedhojë, gara për titull pritet të jetë e hapur deri në fund të sezonit.

Përmbledhja e ndeshjes Arsenal - Manchester City:

Lajme të ngjashme