Eliminohet kampioni në fuqi, Real Madridi fiton në penallti ndaj Man Cityt dhe kualifikohet në gjysmëfinale - NACIONALE

Eliminohet kampioni në fuqi, Real Madridi fiton në penallti ndaj Man Cityt dhe kualifikohet në gjysmëfinale

1 javë më parë

nga NACIONALE

Ndeshja që u konsiderua si finale para finales, ashtu edhe ndodhi. Një ndeshje e shkëlqyer mes dy skuadrave më të mira momentalisht në Evropë, ku fituesi u përcaktua vetëm nga penalltitë, me Real Madridin që siguron gjysmëfinalen në Ligë të Kampionëve, ndërsa kampioni në fuqi Manchester City e mbyll këtu rrugëtimin e saj.

Përballja e parë përfundoi me barazim 3:3 në Santiago Bernabeu, ndërsa sot në ndeshjen e kthimit 90 minutat e parë u mbyllën me barazim 1:1, me Real Madridin që kishte epërsinë fillimisht.

Rodrygo shënoi golin e epërsisë për Mbretërit në minutën e 12-të, duke i dhënë skuadrës së tij një avantazh të madh.

Por skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola që nga ajo minutë mori kontrollin e ndeshjes në dorë dhe arriti që disa herë të rrezikonte, me Lunin, portierin e Real Madridit që dëshmoi vetën me pritjet e tij.

Por portieri ukrainas nuk arriti ta mbajë portën e paprekur, pasi Kevin De Bruyne arriti ta barazonte rezultatin në minutën e 76-të, me rezultatin e përgjithshëm që shkoi në 4:4.

Si rrjedhojë, pasi fituesi nuk u përcaktua në kohë të rregullt, ndeshja shkoi në vazhdime me dy pjesë nga 15 minuta.

As pas 30 minutave lojë nuk pati fitues, me penalltitë që mbeten e vetmja mënyrë për të dhënë gjysmëfinalistin e fundit, mes këtyre dy superfuqive evropiane.

Në penallti, Mbretërit u treguan më gjakëftohtë, duke humbur vetëm një me Luka Modric, ndërsa te Manchester City gabuan Bernardo Silva e Mateo Kovacic, kështu me Real Madridin që del fitues nga kjo çerekfinale, që mund të konsiderohet si një hakmarrje për atë humbjen e thellë që Qytetarët ia shkaktuan Real Madridit në sezonin e kaluar.

Me Bayern Munich që triumfoi ndaj Arsenalit me rezultat të përgjithshëm 3:2, gjysmëfinalja tjetër e Ligës së Kampionëve do të jetë mes Bavarezëve dhe Real Madridit të Carlo Ancelottit.

Lajme të ngjashme