E përkrah Kosova por jo edhe Gjermania, Infantino kandidon i vetëm për të mbetur në krye të FIFA-s - NACIONALE

E përkrah Kosova por jo edhe Gjermania, Infantino kandidon i vetëm për të mbetur në krye të FIFA-s

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, do të garojë i pasfiduar për mandatin e tretë dhe të fundit katërvjeçar në krye të organit qeverisës së futbollit botëror vitin e ardhshëm, ka konfirmuar FIFA sot.

Në një komunikatë të shkurtër për media, FIFA njoftoi se Infantino do të jetë kandidati i vetëm në zgjedhjet presidenciale në Kongresin e 73-të të FIFA-s, në Kingali, Ruandë, më 16 mars.

Asnjë kandidat tjetër nuk e ka dorëzuar kandidaturën”, thuhet në njoftimin e FIFA-s. Afati për dorëzimin e kandidaturave mbaroi të mërkurën.

Infantino do ta ketë përkrahjen e Federatës së Futbollit të Kosovës, që u konfirmua edhe nga vizita e tij e parë në Kosovë në shtator. Ai ishte presidenti i parë i FIFA-s që e viziton Kosovën, e cila iu bashkua kësaj shtëpie më 2016.

Ai e ka siguruar përkrahjen edhe të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, krerët e të cilëve i takoi muaj më parë në Tiranë dhe në Prishtinë.

Por Federata e Futbollit e Gjermanisë (DFB) njoftoi të mërkurën se nuk do ta përkrahë Infantinon dhe se do të kishte dëshiruar që FIFA të kishte konsideratë më të madhe për të drejtat e njeriut dhe përkushtim më të madh ndaj çështjeve të bamirësisë.

Presidenti i DFB-së, Bernd Neundorf, ka bërë thirrje që të krijohet një fond kompensimi për punëtorët e përfshirë në zonat ndërtimore në Kupën e Botës 2022.

Kandidimi i tij i pasfiduar nuk është befasi por diçka e pritur, duke e ditur se si funksionon sistemi zgjedhor për president të FIFA-s, një federatë, një votë – pasi në të kaluarën ajo i ka lejuar ish-presidentët e vet t’i vazhdonin mandatet zinxhir duke e siguruar shumicën e votave: braziliani Joao Havelange e udhëhoqi shtëpinë e futbollit botëror nga viti 1974 deri në vitin 1998 dhe zvicerani Sepp Blatter ishte në pushtet nga viti 1998 deri në vitin 2015.

I zgjedhur në vitin 2016 me zotimin për “rregullimin e imazhit të FIFA-s”, që ishte prishur nga skandali i korrupsionit, 52-vjeçari Infantino e bëri zyrtare kandidimin për mandatin e tretë më 31 mars në Doha, dhe që prej atëherë asnjë kandidat nuk është deklaruar se dëshiron të garojë për të parin e FIFA-s.

Lajme të ngjashme