E konfirmuar: Ismet Munishi ‘shkarkohet’ edhe nga Dueli Sportiv
Tashmë është e konfirmuar, që Ismet Munishi nuk do të jetë analist i rregullt në RTV Dukagjini në emisionin Dueli Sportiv. Këtë për Nacionale e ka bërë të ditur kryeredaktori i sportit në Dukagjin, Ndrec Gjonaj, që njëherësh është edhe autor dhe moderator i emisionit.
Munishi që mori drejtimin e Ferizajt në qershor të këtij viti, me ambicie të mëdha për sezonin, duke pretenduar inkuadrimin në Superligë, u largua vetëm pesë muaj më pas. Kësaj radhe ishte më ndryshe. Ai nuk u shkarkua siç ka ndodhur në 10 raste të tjera në 10 vite karrierë për të si trajner, por kërkoi dorëheqje të parevokueshme, pasi kishte njoftuar drejtuesit e klubit dhe lojtarët se nuk kishte se çfarë të jepte më.
Pas nëntë xhirove në krye të kësaj skuadre, largimi i tij u bë një ditë pas humbjes nga Vjosa, ku edhe shpërtheu në intervistë pas ndeshjes, duke fajësuar gjyqtarin dhe fushën ku u zhvillua ndeshja.
Pavarësisht punës si trajner, Ismet Munishi ka qenë edhe analist i rregullt në RTV Dukagjini, në emisionin Dueli Sportiv, ku këtë të diele do të jetë paraqitja e fundit e tij.
Njëjtë si te Ferizaj, edhe këtu nuk bëhet fjalë për shkarkim, pasi siç iu tha Nacionales, palët nuk kanë arritur të pajtohen për vazhdimin e mëtutjeshëm.

“Po. Të dielën do të jetë emisioni i fundit i Ismet Munishit në Dueli Sportiv. Analisti i ri i Dueli Sportiv do të prezantohet gjatë javës tjetër, dhe do të jetë një risi interesante,” tha autori dhe moderatori i Dueli Sportiv, Ndrec Gjonaj, për Nacionalen.
Mbetet për t’u parë se ku do të vazhdojë karriera e Ismet Munishit, si trajner dhe si analist, në të ardhmen e afërt.
