‘Baba’ i shkarkimeve: Karriera e përçudshme si trajner e Ismet Munishit - nga hero në zero - NACIONALE

‘Baba’ i shkarkimeve: Karriera e përçudshme si trajner e Ismet Munishit - nga hero në zero

2 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Shpeshherë e dëgjojmë Ismet Munishin që në studio televizive i referohet vetes me nofka të ndryshme, e ajo që e dëgjojmë më së shpeshti është ‘Baba’. Në fakt trajneri kosovar lirisht mund të cilësohet si BABË, por i shkarkimeve, pasi kjo ka ndodhur në 10 raste të ndryshme, me 10 klube në 10 vite karrierë.

49-vjeçari ka një karrierë të pasur si futbollist, duke qenë nga të parët që nga ‘lloçi’ i Kosovës doli në futbollin evropian, ku të kërkosh emrin e tij të shfaqet ai goli fantastik që shënoi për Sekerspor ndaj gjigantit turk Besiktas.

E njëjta nuk mund të thuhet edhe në zejen e trajnerit, pavarësisht se e nisi shumë mirë këtë eksperiencë.

Puna e parë e tij si trajner ishte te Llamkos Kosova atëkohë, që tani njihet si FC Vushtrria. Në sezonin e parë 2013/2014, me shumë vështirësi, si në organizim, probleme me paga të lojtarëve e gjëra të tjera, Ismet Munishi u bë hero i atij qyteti, duke shpallur skuadrën vushtrriase kampione. Ishte vetëm 40-vjeçar, hera e parë si trajner, dhe Kosova mund të thoshte se tashmë e kishte një trajner të zotin. Një nga sukseset e tij mund të llogaritet edhe zbulimi i Milot Rashicës, të cilit i dha minuta në po atë sezon, duke e aktivizuar si 16-vjeçar, nga ku filloi shpërthimi i tij, për t’u transferuar në Evropë.

Llamkos Kosova shpallet kampion vjeshtor - Telegrafi - Telegrafi

Por, mendja e madhe të prish.

Kjo ishte pika më e lartë në karrierë për të si trajner futbolli, ngase nga aty filluan fjalët e mëdha, që nuk përcilleshin me shumë rezultate, apo më mirë të themi me zero rezultate.

Pasi triumfoi me Llamkos Kosovën, ai mori drejtimin e Hajvalisë për dy sezone, ku përfundoi një herë në vendin e dytë, që ishte suksesi më i madh për këtë skuadër.

Munishi karrierën e vazhdoi te Drita e Gjilanit, por që përfundoi shumë shpejt, pasi shpërtheu një skandal me një audio-incizim, ku trajneri ishte i përfshirë me një gjyqtar futbolli, ku dëgjoheshin duke bërë plane për ndeshje, ndonëse fajësia e tij nga ky rast nuk u provua kurrë.

Pas kësaj eksperience, ai mori drejtimin e Vëllaznimit të Gjakovës dhe nuk vazhdoi as për një sezon të plotë, nga ku shkoi te Feronikeli në pjesën e dytë të sezonit dhe qëndroi pothuajse në përfundim, por pa një ndonjë sukses.

Në sezonin vijues, atë 2018/2019, Ismet Munishi udhëhoqi dy skuadra, që bënin gara në Ligën e Parë të Kosovës. E nisi me Besën e Pejës ku qëndroi shumë pak, për t’u kthyer për një eksperiencë të dytë në Vëllaznim të Gjakovës, me dallimin e vetëm që herën e parë ishte sa skuadra bënte gara në Superligën e Kosovës.

Edhe këto dy eksperienca ishin të dështuara dhe nuk iu shkoi deri në fund qëllimeve të tij.

Periudha më e ndritur e tij që nga sezoni 2013/2014, ishte koha e tij me Ballkanin e Suharekës. Një skuadër e cila në sezonin 18/19 luftonte për mbijetesë, në kohën e Munishit ishte kandidate serioze për titull kampion, ku në sezonin 2019/2020 deri në xhiron e fundit ishin për titull kampioni, por Drita përfundoi mbi ta me një pikë më shumë.

Ky sezon ishte një nga me polemizuesit, ku ishte vet trajneri që thoshte se kishin përjetuar padrejtësi dhe se kampion në fushë ishin ata, pavarësisht renditjes.

Edhe në sezonin pasues, ai ishte në krye të Ballkanit, ku po shkonin mjaft mirë në garën për titull, por çuditërisht ai u largua nga posti i trajnerit në gjysmë të sezonit, i pasuar nga Blendi Shkëmbi.

‘Baba’ i shkarkimeve nuk pushoi shumë dhe pa përfunduar mirë sezoni 2020/2021, ai mori drejtimin e Gjilanit, ku punoi për një sezon e gjysmë dhe përsëri nuk e përmbushi asnjë objektiv.

Në verën e vitit 2022 u bë trajner i Prishtinës, ku erdhi me shumë bujë. Të gjitha rrugët e Ismetit të çonin në Prishtinë. Mendohej se kjo do të ishte pika e kthesës. Ai premtoi shumë, por nuk dha asgjë dhe pas tetë muajsh në krye të klubit kryeqytetas u largua, duke fajësuar faktorë të jashtëm për mos-suksesin e tij.

Edhe eksperienca e fundit e tij doli të ishte e dështuar. Ismet Munishi u kthye përsëri në Ligën e Parë të Kosovës, duke marrë drejtimin e FC Ferizajt që sezonin e fundit ra nga Superliga e Kosovës.

Prezantimi i tij edhe këtu ishte i bujshëm. Ai synonte jo vetëm inkuadrimin në Superligë, por edhe garat evropiane.

“FC Ferizaj pavarësisht që do të garojë në Ligën e Parë, jam i bindur se do të funksionojë me logjikën e një klubi kampion të Superligës. Projekti është shumë serioz, ne e synojmë jo vetëm Superligën, por edhe Evropën në një periudhë të afërt.”

No description available.

Pooooor, te Ferizaj, Ismet Munishi mbijetoi vetëm pesë muaj. Ai kërkoi dorëheqje të parevokueshme, pasi siç ua kishte shpjeguar lojtarëve se nuk kishte se çfarë të jepte më shumë.

Ky largim i tij erdhi vetëm një ditë pasi u mposht nga Vjosa me rezultat 2:1, ku pas ndeshjes kishte reaguar ashpër ndaj gjyqtarëve dhe fushës ku u zhvillua ndeshja. Për Ismet Munishin, Ferizaj ishte ekipi i tretë që e drejtonte në kategorinë e dytë të futbollit kosovar.

Kjo ishte në pika të shkurtra karriera e Ismet Munishit si trajner, nga HERO në ZERO, e filloi me titull kampioni dhe një dekadë më vonë arritjen e vetme e ka atë trofe, ku me të drejtë mund të quhet ‘BABA’ i shkarkimeve, pas 10 shkarkimeve në po aq vite karrierë.

Lajme të ngjashme