Ismet Munishi, baba i shkarkimeve: 8 vjet, 9 skuadra, 6 qytete, 9 shkarkime
Ismet Munishit i pëlqen ta quajë veten “baba” i trajnerëve në Kosovë dhe ai mund ta ketë filluar karrierën si trajner furishëm dhe në mënyrën më mahnitëse të mundshme, por me kalimin e kohës ai është shndërruar në “babën” e shkarkimeve.
Gjilani e shkarkoi Munishin të hënën, një ditë pas disfatës tronditëse kundër Dukagjinit dhe vetëm gjashtë javë para përfundimit të sezonit në Superligë.
Shkarkimi i tij i fundit nënkupton se 47-vjeçari ka ndërruar ekip plot tetë herë që prej se e udhëhoqi Vushtrrinë drejt titullit të kampionit të Kosovës në sezonin 2013/14. Shumicën e herëve, ai është shkarkuar.
Pra, tetë vjet, nëntë skuadra të ndryshme. Vetëm një herë kampion. Që nënkupton se mburrja e Munishit si “baba i trajnerëve” dhe trajneri i vetëm me b*le”, i ngjason më shumë etiketimit “baba i shkarkimeve”.
Në tetor 2014, Munishi dha dorëheqje nga Llamkos Kosova, pasi e kishte udhëhequr drejt titullit të parë të kampionit, i cili ishte edhe për të i pari dhe i vetmi deri më sot.
Ai e mori menjëherë drejtimin e Hajvalisë, para se të largohej pas vetëm pak muajve në vitin 2015.
Një vit më vonë, më 2016, Munishi u emërua trajner i Dritës, para se të shkarkohej vetëm pas pak muajve në stol. Ai e pati edhe një aventurë të shkurtër disamujore te Vëllaznimi në vitin 2017, ku u shkarkua po ashtu.
Kohë edhe më të shkurtër qëndroi në Feronikel në sezonin 2017/18, ku kishte rezultate të dobëta dhe u shkarkua si pasojë.
Kjo do ta shënonte ulje më të madhe në karrierën e Munishit si trajner, pasi në vitin 2018 ai i udhëhoqi shkurtimisht dy skuadra në Ligën e Parë – kategorinë e dytë të futbollit në vend.
Ai e emërua trajner i Besës së Pejës në Ligën e Parë në vitin 2018, për t’u shkarkuar brenda vitit.
Në të njëjtin vit, Munishi e mori drejtimin e Vëllaznimit për herë të dytë, por këtë herë në Ligën e Parë, para se të largohej në pas pak kohës shkaku i mospajtimeve me drejtuesit.
Viti 2019 shënoi rikthimin e tij të bujshëm në Superligë, ku u emërua trajner i Ballkanit të Suharekës dhe ndërtoi një ekip në gjendje për të luftuar për titull.
Në fakt, falë investimeve të mëdha të pronarit të klubit Arsim Kabashi, Ballkani kishte mbase skuadrën më të mirë në ligë në sezonin 2019/20. Munishi ia doli ta mbajë skuadrën në garë për titull deri në javët e fundit të sezonit, kur e humbi atë përballë Dritës dhe madje përfundoi në vendin e tretë.
Në sezonin pasues, futbolli i Ballkanit nën udhëheqjen vazhdoi të pësoi rënie të madhe dhe Munishi u shkarkua pas gjysmës së parë të sezonit.
Munishi e mori drejtimin e Gjilanit në mars të vitit 2021 dhe pritjet ishin të mëdha se ai do ta udhëhiqte klubin drejt titullit të parë në Superligë, por ai ua largua pas vetëm një viti qëndrimi dhe rezultateve jo bindëse në ndeshjet vendimtare të sezonit.
Shkarkimi i 47-vjeçarit vjen pas humbjes tronditëse nga Dukagjini të dielën, e cila pothuajse ia shoi çdo shpresë kuqebardhëve për titull në Superligë.
Ish-trajneri i Ballkanit e udhëhoqi Gjilanin në 47 ndeshje, duke e fituar 1.63 pikë për ndeshje, një mesatare e pamjaftueshme për t’ia siguruar titullin gjilanasve dhe mesatare me e dobët se në kohën e tij te klubi nga Suhareka.