Zyrtare: Prishtina e shkarkon Ismet Munishin
Prishtina e ka shkarkuar trajnerin Ismet Munishi, një ditë pas disfatës së klubit kundër Malishevës në Superligë.
Munishi i ishte bashkuar Prishtinës verën e vitit të kaluar në një marrëveshje njëvjeçare.
Disfata kundër Malishevës që lufton për mbijetesë ishte e katërta nga shtatë ndeshje në vitin 2023 për Munishin në stolin e Prishtinës.
“Bordi i FC Prishtinës ka vendosur që ta ndërpresë bashkëpunimin me trajnerin Ismet Munishi”, thuhet në një njoftim të Prishtinës.
Por gjërat për ish-trajnerin e Ballkanit nuk kanë shkuar shumë mirë në kryeqytet, pasi me të në krye, Prishtina është më afër rënies nga liga se një vendi që çon në garat evropiane.
“Një vendim i tillë ka ardhur për shkak të mos arritjes së rezultateve të dëshiruara në ndeshjet e fundit”, njoftoi klubi bardhekaltër.
Që prej rifillimit të sezonit 2022/23 në Superligë, Prishtina e ka shënuar vetëm një fitore në shtatë ndeshje, duke i humbur katra dhe duke barazuar në dy të tjera.
Klubi kryeqytetas njoftoi se skuadrën do ta udhëheqë ndihmëstrajneri Debatik Curri përkohësisht.
“FC Prishtina e falënderon përzemërsisht Munishin për punën e bërë në skuadër. Skuadrën aktualisht do ta drejtojë trajneri Debatik Curri dhe ndihmësit e tjerë deri në një vendim të ri”.
Munishi e mori në dorë një Prishtinë me shumë ndryshime në qershor të vitit të kaluar, pasi shumica e lojtarëve kyçë ishin larguar dhe atij iu desh ta dertonte një ekip pothuajse nga fillimi.
Ai kishte premtuar revolucion dhe se do të luftonte për titull në Superligë gjatë këtij sezon, por përfundoi i shkarkuar nëntë ndeshje para se të mbarojë kampionati.
Munishi ishte emëruar trajneri i bardhekaltërve rreth një muaj pasi ishte shkarkuar nga Gjilani.
