E kërkon me ngulm Arsenali, De Zerbi: Mudryk mund ta fitojë Topin e Artë në të ardhmen - NACIONALE

E kërkon me ngulm Arsenali, De Zerbi: Mudryk mund ta fitojë Topin e Artë në të ardhmen

3 vjet më parë

nga NACIONALE

De Zerbi e njeh mirë sulmuesin që po kërkohet me çdo kusht nga Arsenal, Mykhailo Mudryk, pasi e ka stërvitur për një kohë. Për të madje tha se mund ta fitojë edhe Topin e Artë në të ardhmen.

Para se ta niste përvojën si trajner i Brightonit, De Zerbi ka qenë më herët edhe në krye të stafit teknik të Shakhtarit. Andaj edhe sulmuesin ukrainas Mudryk, që është objektivi kryesor i Arsenalit në këtë afat kalimtar – e njeh nga afër.

Pikërisht ndaj Arsenalit trajneri italian do të përballet gjatë ditës së nesërme. Ai përgëzoi “Topçinjtë” për piketimin e Mudryk.

“Kemi të bëjmë me një lojtar të mrekullueshëm, por ne nuk mund ta blejmë. Më pëlqen, ashtu siç më pëlqejnë të gjithë lojtarët kam stërvitur më herët, edhe pse tani jam pjesë e Brightonit”, nënvizoi ai.

Të ardhmen e sulmuesit të ri ukrainas e sheh aq të ndritshme saqë aludon se ka të gjitha tiparet për ta fituar edhe çmimin kryesor që u jepet futbollistëve.

“Besoj që Mudryk mund ta fitojë Topin e Artë në të ardhmen. I njoh mirë vlerat e tij”, tha ai.

Dy ditë më parë u raportua nga agjencia e lajmeve “Goal” se oferta e parë prej 55 milionë funtave është refuzuar nga klubi ukrainas. Ata vlerësojnë se kartoni i tij është më i shtrenjtë sesa oferta që kanë prezantuar drejtuesit e klubit anglez.

Gjithsesi, me kaq nuk mbaron interesimi i Arsenalit për sulmuesin 21-vjeç. Interesimi është akoma i vlefshëm. Në ditët në vijim do të bëhet edhe një ofertë e dytë për ta bindur kështu Shakhtarin që të privohet nga shërbimet e tij.

Lajme të ngjashme