Edhe pse iu prezantua një ofertë e majme, Shakhtar refuzon ofertën e Arsenalit për Mudryk
Shakhtar ka refuzuar ofertën e majme të Arsenalit për sulmuesin e saj, Mychajlo Mudryk. Klubi londinez në ditët në vijim pritet ta përgatisë një ofertë të re, pasi e do me çdo kusht futbollistin ukrainas.
Lëndimi i Gabriel Jesus ka ndërlikuar pak gjërat te kampi i Arsenalit, pasi ai nuk pritet të rikthehet në fushën e blertë të paktën deri në fund të muajit shkurt.
Kështu “Topçinjtë” kanë vendosu që të mos humbin shumë kohë, por të fillojnë gjuetinë për të gjetur një sulmues të ri në treg. Mychajlo Mudryk është emri i parë në listën e prioriteteve të Artetas.
Megjithatë, oferta e parë prej 55 milionë funtave është refuzuar nga klubi ukrainas sipas agjencisë së lajmeve “Goal”. Ata vlerësojnë se kartoni i tij është më i shtrenjtë sesa oferta që kanë prezantuar drejtuesit e klubit anglez.
Gjithsesi, me kaq nuk mbaron interesimi i Arsenalit për sulmuesin 21-vjeç. Interesimi është akoma i vlefshëm. Në ditët në vijim do të bëhet edhe një ofertë e dytë për ta bindur kështu Shakhtarin që të privohet nga shërbimet e tij.
Ndërkohë vetë futbollisti asnjëherë nuk e ka fshehur simpatinë e tij të madhe që ka për Arsenalin. Në rrjetet sociale ai publikon fotografi duke shikuar Arsenalin, që tregon edhe entuziazmin enorm që ka nga interesimi që ka shfaqur lideri aktual i Premierligë për të.

Madje, në bazë të shkrimeve të medieve ndërkombëtare thuhet se vetë Mudryk po bën presion te zyrtarët e klubit që ta pranojnë ofertën dhe ta lënë të lirë që të lëvizë drejt Londrës për të nënshkruar me “Topçinjtë”.
Ai në sezonin aktual të ligës ukrainase ka shënuar shtatë (7) gola në dymbëdhjetë (12) paraqitje. Ndërkaq kontrata e tij me Shakhtarin është e vlefshme deri më 31 dhjetor 2026.
