Dy kompani të huaja në bisedime të avancuara për ta blerë Gjilanin - NACIONALE

Dy kompani të huaja në bisedime të avancuara për ta blerë Gjilanin

3 vjet më parë

nga Ekrem Idrizi

Dy kompani të huaja janë në bisedime të avancuara me Gjilanin për t’i blerë aksionet e klubit të Superligës së Kosovës, ka konfirmuar për Gazetën Nacionale drejtori i klubit Sevdail Robelli.

Gjilani është në kërkim të një blerësi tash e katër muaj, pasi pronari në largim Florim Zuka dha dorëheqje nga posti i presidentit të klubit në korrik dhe e nxori klubin në shitje.

Që prej atëherë, ka pasur thashethemet për blerës të mundshëm dhe Robelli thotë për Gazetën Nacionale se finalizimi i shitjes së klubit mund të ndodhë shumë shpejt, me dy kompani të huaja emrat e të cilave nuk i zbuloi, kanë shprehur interesim të madh për të investuar në klubin kuqebardh.

“Unë jam duke biseduar me dy kompani të huaja, në kërkim të një marrëveshje. Ka edhe të tjerë të interesuara. Por janë dy kompani me të cilat jemi në bisedime të avancuara”, konfirmoi Robelli për Nacionale.

Janë bisedime të avancuara, nuk ka vendim final, mirëpo ata po kërkojnë informata shtesë, si cilat janë asetet e klubit, si është organizimi i klubit, do të thotë në këtë drejtim po kërkojnë informata. Ne jemi duke i përditësuar me informata çfarëdo që kanë nevojë dhe po presim në çdo moment të ndodhë diçka. Normalisht, ata që e japin ofertën më të mirë financiare dhe që e kanë projektin më të mirë, ata do ta marrin”, shtoi ai.

Zuka – i cili e kishte blerë Gjilanin në vitin 2017 – u largua befasisht në prag të fillimit të sezonit të ri 2022/23 dhe skuadra e udhëhequr nga trajneri Zekirija Ramadani ka tre muaj që bën gara pa e ditur fatin e vet dhe e kapluar nga telashet financiare.

Biznesmeni kosovari investoi pesë vite në klub por pa ia dalë të fitojë ndonjë trofe - arritja ma e madhe e Zukës në krye të Gjilanit qa qenë sigurimi i një vendi në kualifikime për garat evropiane në dy sezone radhazi. Sivjet, Gjilani u eliminua qysh në rrethin e parë kualifikues në Ligën e Konferencës.

Me gjithë paqartësitë rreth të ardhmes së klubit dhe problemet financiare, Gjilani është duke bërë një sezon të mirë në Superligë, pasi renditet i katërti në tabelë me 22 pikë nga 14 ndeshjet e para, tetë pikë larg rivales dhe lideres Drita.

Nacionale merr vesh nga burime brenda klubit se Gjilani ua ka borxh të paktën nga dy rroga mujore futbollistëve të vet, disa prej të cilëve kanë bërë kërkesë në klub që t’u shlyhet borxhi në mënyrë që të mos bëjnë padi në FIFA.

Për mjegullën dhe telashet brenda klubit kishte folur tërthorazi edhe trajneri Ramadani pas disfatës së skuadrës së tij kundër Drenicës dy javë më parë.

Kur nuk je i qetë gjatë javës, normal që nuk mund të presësh që në ndeshje të jesh i koncentruar dhe të shënosh nga gjysmërastet. Unë jam gjithmonë me futbollistët. Janë ata që unë jam sot. Nuk jemi pesimist duke menduar vetëm negativisht. Rikthimi nuk varet nga ne. Dita-ditës, ndeshje pas ndeshje, ekipi po lodhet edhe më tepër”, kishte thënë Ramadani duke aluduar në problemet brenda klubit.

Lajme të ngjashme