Presidenti Zuka dhe e gjithë kryesia japin dorëheqje nga SC Gjilani
Pronari dhe presidenti Florim Zuka, si dhe e tërë kryesia e klubit kanë dhënë dorëheqje të parevokueshme nga Sc Gjilani, ka njoftuar vetë Zuka të hënën.
Zuka ishte emëruar president i Gjilanit në vitin 2017 kur e mori nën pronësi klubin dhe që prej atëherë e ka udhëhequr atë drejt luftës për titull në Superligë dhe largimi i tij i papritur ka habitur.
“Përkundër rezultateve te arritura, konsiderojmë se kjo nuk ka qenë e mjaftueshme dhe për këtë arsye që nga momenti i publikimit te këtij njoftimi ofroje dorëheqje te parevokueshme nga pozita e Kryetarit te Klubit Sc Gjilani. Njëkohësisht edhe kryesia aktuale eshte e dorehqur se bashku me mua”, thuhet në një njoftim të Zukës në Facebook.

Përkundër investimeve të vazhdueshme në pesë vitet e fundit, arritja ma e madhe e e Zukës në krye të Gjilanit qa qenë sigurimi i një vendi në kualifikime për garat evropiane në dy sezone.
Sivjet, Gjilani u eliminua qysh në rrethin e parë të Ligën e Konferencës, pas disfatës në udhëtim në Letoni kundër Liepajas.
Zuka më së afërmi titullit erdhi në sezonin 2019/20 kur përfundoi në vendin e dytë, pas kampiones Prishtinës.
Biznesmeni Zuka ka lënë të kuptohet se ai nuk ishte më në gjendje të investonte në klub dhe i ka bërë thirrje palëve të interesuara të investojnë në klubin kuqebardh.
Zuka shtoi: “Për këto 5 vite e gjysme kemi investuar një shume te madhe te mjeteve finaciare, e tera pasuri familjare, duke sjelle ne Klub lojtar për te cilët kemi menduar se mund te arrijmë synimet e përbashkëta qe Sc Gjilani te pozicionohet ne mesin e klubeve me te suksesshme ne Kosove.”
“Ftojmë te gjithë sportdashësit, donatorët, përfaqësuesit e Institucioneve Komunale, dhe çdo person tjetër të interesuar që të japë kontributin e vet në krijimin e një kryesie të re në mënyrë që Sc Gjilani të vazhdojë tutje drejt synimit te përbashkët, Titullit Kampion.”