Dy gola të Nunezit ia sjellin pikët e plota Liverpoolit ndaj Southamptonit, Tottenhami përmbysë Leedsin
Liverpooli ia ka dalë që të shkojë në pushime njëmujore me pikët e plota duke e mposhtur Southamptonin në Anfield me rezultat 3:1, në anën tjetër Tottenham Hotspur ka arritur ta kthejë rezultatin në minutat e fundit për të fituar ndaj Leeds United me rezultat 4:3.
Liverpool – Southampton
Dy gola të Darwin Nunezit dhe një i Firminos ishin të mjaftueshëm për një fitore të shumëpritur për skuadrën e Jurgen Klopp, i cili shikoi ndeshjen nga tribunat për shkak të dënimit me një ndeshje mosprezencë në bankinë.
Të kuqtë ishin dominues në pjesën e parë të takimit, ku edhe erdhën të gjitha golat e shënuar, teksa Southampton rrezikoi disa herë në pjesën e dytë por Alisson Becker ishte në formë shumë të mirë duke intervenuar në së paku katër raste për të shpëtuar golin e sigurt.
Serinë e golave e hapi Liverpooli me anë të sulmuesit brazilian, Firmino, i cili shënoi për 1:0 në minutën e gjashtë.
Tre minuta më vonë mysafirët barazuan rezultatin në 1:1 me golin e Adams.
Në vazhdim u shënuan dhe dy gola që mbajtën firmën e një personi.
Golin e parë personal Nunez e shënoi në minutën e 21-të për rezultatin 2:1 pas asistimit të Elliott.
Sulmuesi uruguaian shënoi përsëri, kësaj radhe pas asistimit të Robertson në minutën e 42-të për rezultatin 3:1, që doli në fund të jetë edhe rezultati përfundimtar.
Southampton rrezikoi disa herë në pjesën e dytë por portieri shumë në formë Alisson i mohoi golin në të gjitha rastet.
Me këtë fitore, Liverpool pozicionohet në vendin e gjashtë përkohësisht, ndërsa Southampton është e parafundit në tabelë dhe me një fitore të mundshme të Wolves sonte ndaj Arsenalit, ata mund të lëvizin drejt pozitës së fundit.
Tottenham Hotspur – Leeds United
Spurs kanë arritur ta fitojnë ndeshjen me rikthim kundër Leeds, për të mbetur në hap me skuadrat e kreut të tabelës, duke u afruar në vetëm tre pikë me Manchester Cityn, ndonëse këta të fundit kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.
Leeds ishte tri herë në epërsi dhe në të gjitha rastet Tottenham arriti ta barazonte rezultatin dhe në fund t’i merrte pikët e plota me golin e Bentancur.
Golin e parë për 1:0 e shënoi Leeds me anë të Summerville që po kalon në një formë të mirë këtë sezon.
15 minuta më vonë, saktësisht në minutën e 25-të, ishte kapiteni Harry Kane që barazoi gjithçka.
Por në pushimin mes dy pjesëve, Leeds shkoi në epërsi. Për 2:1 realizoi Rodrigo në minutën e 43-të të takimit.
Në pjesën e dytë u shënuan plot katër gola.
Fillimisht në minutën e 52-të Ben Davies barazoi rezultatin në 2:2.
Teksa Leeds mori epërsinë sërish në minutën e 76-të dhe sërish ishte Rodrigo që shënoi për mysafirët.
Kur loja po shkonte drejt fundit, Bentancur u shfaq për të sjellë pikët e plota për skuadrën e Antonio Contes.
Fillimisht për barazimin e tretë në këtë ndeshje shënoi në minutën e 81-të.
Ndërsa golin e vlefshëm për tre pikë e shënoi dy minuta më vonë, pas asistimit të Kulusevskit për 4:3.
Me këtë rezultat përfundoi gjithçka dhe tani Tottenham mbanë pozitën e tretë me 29 pikë, por Newcastle mund t’ia rrezikojë këtë pozitë në ndeshjen që zhvillon kundër Chelseat, ndërsa Leeds momentalisht është e 14-ta dhe mund të lëvizë edhe më poshtë.
Tabela momentale në Premierligë

