“Duhet të luajmë me durim dhe zgjuarsi” – trajneri dhe mbrojtësi i Shkupit flasin për sfidën ndaj Ballkanit - NACIONALE

“Duhet të luajmë me durim dhe zgjuarsi” – trajneri dhe mbrojtësi i Shkupit flasin për sfidën ndaj Ballkanit

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Trajneri Goce Sedlloski dhe mbrojtësi Besir Demiri janë të gatshëm të bëjnë çmos për sfidën ndaj Ballkanit, kështu u shprehen në konferencë për shtyp ditën e mërkurë.

Ballkani do të jetë mysafir i Shkupit nesër për raundin e play-off të Ligës së Konferencës, derisa një javë më vonë do ta zhvillojnë sfidën kthyese në “Fadil Vokrri”.

Para ndeshjes në konferencë për media, foli Sedlloski që theksoi se duhet të luajnë me zgjuarsi për të arritur deri te fitorja.

Jam i lumtur që të gjithë lojtarët janë në dispozicionin tonë, të gjithë janë gati, nuk kam asnjë lojtar të dëmtuar apo të penalizuar. Sa për nesër, duhet të luajmë me durim, zgjuarsi, të luajmë sa më mirë deri tani, mendoj se jemi të aftë ta bëjnë këtë në ndeshjen e nesërme”.

Natyrisht, më duhet të them që kemi përballë një kundërshtar shumë cilësor, sapo arriti në këtë fazë në play-off. Nesër është pjesa e parë, 90 minuta, shpresoj që lojtarët të japin maksimumin dhe të kryejnë detyrat në fushë”, tha fillimisht Sedlloski.

Tutje, ai shtoi se nuk dëshiron të flet për Ballkanin dhe që gjithçka do ta dëshmojnë në fushë.

Ata kanë një ekip i mirë. Trajneri (Ilir Daja) tha se do të kualifikohen në grupe, secili ka idetë dhe imagjinatën e tij dhe kjo duhet vërtetuar në fushë”.

Thjesht nuk dua të flas për ta, lojtarët duhet ta thonë në fushë dhe do të shohim pas këtyre 180 minutave se kush do të shkojë”.

Ne ishim pak të trishtuar pasi zbritëm nga Shamrocku, por po e lëmë këtë pas vetes. Ndeshje e re, prova e re dhe siç thashë duhet të bëjmë më të mirën, të luajmë siç dimë, të mos gabojmë. Ne luajtëm mirë edhe në ndeshjet e mëparshme, por gabimet na kushtuan shtrenjtë ndaj Dinamos dhe Shamrockut”, deklaroi ai.

Ndërsa, mbrojtësi shqiptar Besir Demiri u shpreh se e dinë çfarë kualiteti ka Ballkani, por beson në rezultat pozitiv.

E di për kualitetin e skuadrës së Ballkanit, por ne jemi të qetë, kemi punuar gjatë gjithë këtyre ditëve në mënyrë intensive me qëllim që të marrim një rezultat pozitiv”, tha mbrojtësi shqiptar.

Sigurisht që përparësi e jona është tereni vendas dhe tifozët, por nuk duhet të mashtrohemi nga kjo sepse kjo ndeshje është vetëm njëra pjesë”.

Me ekipin unë jam bashkuar më vonë andaj si startues apo nga banka rezervë vendos trajneri por sidoqoftë unë jam i gatshëm të jap më të mirën nga vetja”, përfundoi ai.

Optimizëm të plotë ka edhe nga ana e Ballkanit, me kapitenin Edvin Kuc dhe mbrojtësin Armend Thaqi që dje deklaruan se besojnë në kualifikim tutje.

Përballja mes Shkupit dhe Ballkanit do të zhvillohet nesër me fillim nga ora 21:00.

Lajme të ngjashme