Te Ballkani optimistë dhe më të motivuar se kurrë para finales ndaj Shkupit
Te skuadra e FC Ballkanit lojtarët janë optimistë se do të arrijnë ta tejkalojnë Shkupin dhe të kualifikohen në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Kështu thanë kapiteni Edvin Kuc dhe mbrojtësi Armend Thaqi në një bisede me gazetën Nacionale.
Ballkani ishte befasia më e bukur e kësaj aventure evropiane nga klubet tona, ku së fundmi vendosi rekord duke mbërritur deri në raundin e play-off, që s’ishte arritur nga asnjë klub kosovar më parë.
Kampioni i Kosovës pas humbjes nga Zalgiris, u kualifikua direkt në fazën e dytë të Ligës së Konferencës ku shpartalluan La Fiorita me rezultat të përgjithshëm 10:0, e pastaj në raundin e tretë eliminuan Kl-Klaksvik në penallti 3:4 pasi rezultati i përgjithshëm ishte 4:4 pas dy ndeshjeve.
Në raundin e play-offit, Ballkani përballë ka klubin nga Maqedonia e Veriut, Shkupin, të cilët nuk janë të panjohur, pasi i patën mposhtur në një miqësore (0:2).
Në një bisedë për gazetën Nacionale, kapiteni Edvin Kuc tha se fitimi i titullit ishte vetëm fillimi i historisë që po krijojnë.
“Kemi bërë historinë sërish (kualifikimi në play-off). Fitimi i titullit ishte vetëm fillimi i udhëtimit tonë. Kishim pak fat në short, por fati duhet të fitohet. Sigurisht Zoti na ka shpërblyer për gjithë këto vite, heqje dorë dhe sakrifica.”

Mesfushori kualitativ thotë se janë në dijeni për sfidën e vështirë që i pret, janë të gatshëm për gjithçka.
“Jemi të sigurt se një ndeshje e vështirë na pret, ata (Shkupi) nuk kanë mbërritur në play-off pa arsye. Unë besoj te bashkëlojtarët, e di që kemi kualitetin, jemi në dijeni se nuk do të jetë lehtë, por jemi të gatshëm për gjithçka.”
Në fund, Kuc e vlerësoi këtë sfidë si historike për tërë Kosovën dhe shpreson në kualifikim.
“Kjo është ndeshje historike jo vetëm për ne, por për të gjithë Kosovën. Ne prezantojmë klubin dhe qytetin dhe duam t’i bëjmë të gjithë fansat tanë krenarë. Jemi maksimalisht të koncentruar dhe të motivuar për një sukses të madh. Shpresoj për më të mirën.”
Ndërkohë, mbrojtësi Armend Thaqi që ka qenë një ndër më të vlerësuarit në paraqitjet dinjitoze të Ballkanit për gazetën Nacionale tha se u është dashur një angazhim i madh që të kualifikohen duke shtuar një thënie “fati i përcjell trimat”.
“Vendosëm një rekord me arritjen në play-off, gjë që na bën shumë krenar të gjithëve në klub. Normalisht që ishte e vështirë sepse secili ekip kishte diçka që e karakterizonte dhe duhej shumë angazhim për t’i kaluar, mirëpo duhet edhe të jemi realist sepse kemi pasë pak fat në short, mirëpo ‘fati i përcjell trimat’ është një thënie shumë e bukur.”

Lojtari që theu akullin duke u bërë futbollisti i parë që ftohet nga Kosova A, nënvizoi se janë plotësisht të motivuar mirëpo edhe Shkupi ka mbërritur në finale me plot meritë.
“Një përballje finale me Shkupin që edhe ajo me meritë është në këtë fazë dhe detajet do të jenë ato që do ta vendosin edhe në Shkup edhe në Prishtinë. Jemi të motivuar në maksimum për të arritur edhe diçka tjetër historike si klub dhe në futbollin tonë.”
Në fund, Thaqi premtoi se do të japin gjithçka për të mbërritur në fazën e grupeve.
“Motivimi është në maksimum dhe kjo shihet edhe në fytyrat e bashkëlojtarëve gjatë seancës stërvitore, gjë që na jep besim edhe më shumë në ndeshje. Do të japim gjithçka për arritjen e fazës grupore”, përfundoi ai.
Ndeshja e parë mes Shkupit dhe Ballkanit zhvillohet këtë të enjte, derisa një javë më vonë, “Xhebrailat” do ta mirëpresin kundërshtarin në “Fadil Vokrri”.