"Dueli i vëllezërve: Zvicër - Kosovë", Blick ndryshon edhe ngjyrat e flamujve të shteteve - NACIONALE

"Dueli i vëllezërve: Zvicër - Kosovë", Blick ndryshon edhe ngjyrat e flamujve të shteteve

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Mediumi zviceran "Blick" ka shkruar sërish lidhur me miqësoren mes Zvicrës dhe Kosovës, ku e ka cilësuar prapë si ndeshje vëllazërore, këtë herë duke ndryshuar edhe flamujt e dy shteteve.

Pas fitores së thellë ndaj Burkina Faso (5:0), "Dardanët" nën urdhrat e Alain Giresse do përballen me Zvicrën këtë të marte në Cyrih.

E për këtë ndeshje ka shkruar sërish mediumi më i madh zviceran duke e cilësuar prapë si ndeshje vëllazërore.

"Dueli i vëllezërve: Zvicër kundër Kosovë", ishte shkruar një shkrimin e këtij mediumi.

Ajo që mori më shumë vëmendje ishte fotografia kryesore, ku vërehet se flamuri i Kosovës me ngjyrë të kuqe dhe i Zvicrës me ngjyrë të kaltër.

Me dallim nga Kosova që do hyjë në këtë takim pas një fitore të shkëlqyer, Zvicra vjen nga një humbje prej Anglisë (2:1).

"Dardanët" e nisen për mrekulli 'epokën Giresse' të enjten e kaluar, duke triumfuar me rezultat 5:0 ndaj gjysmëfinalistit të Kupës së Afrikës. Golat nga Aliti, Selmani, Vojvoda, Rashica dhe Domgjoni i sollën fitoren e parë teknikut francez në krye të Kosovës, mirëpo ajo që ishte edhe më e mirë ishte paraqitja e mrekullueshme, ku dominuan në tërë ndeshjen.

Kështu, me plotë optimizëm, Kosova do zhvillojë ndeshjen ndaj Zvicrës, edhe pse Giresse ka konfirmuar që në këtë takim, do ketë ndryshime në skuadër: "Ndaj Zvicrës luajmë me tjetër skuadër", ishte deklarata e tij.

Ndërkohë, ylli nga Kosova, Granit Xhaka ka konfirmuar se do jep më të mirën që të mposht Kosovën, ku do jetë ndeshja e tij e 100-të për kombëtaren helike.

"Do ta shijoj ndeshjen, në fakt i njoh të gjithë kundërshtarët [Lojtarët e Kosovës]. Natyrisht se do të jap gjithçka për ta fituar edhe këtë ndeshje", deklaroi ai para disa ditëve.

Përpos Xhakës, te Zvicra janë të ftuar edhe dy lojtarë tjerë nga Kosova, si Xherdan Shaqiri dhe Andi Zeqiri, ky i fundit jo i dashur nga "Dardanët", pasi në të kaluarën nënshkroi parakontratë me Kosovën, pastaj shkoi të përfaqësonte helikët në Kampionat Evropian.

Kujtojmë, se ndeshja zhvillohet në stadiumin “Letzigrund" me fillim nga ora 18:00, ditën e martë.

Lajme të ngjashme