Driton Kuka për KOK: Dëshira dhe vullneti për të dhënë më të mirën për Kosovën nuk do të ndalet deri në frymën e fundit - NACIONALE

Driton Kuka për KOK: Dëshira dhe vullneti për të dhënë më të mirën për Kosovën nuk do të ndalet deri në frymën e fundit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Trajneri i ekipit të Kosovës në Xhudo në Lojërat Olimpike, Driton Kuka, që ia solli shtetit tonë edhe dy medalje olimpike, ka dhënë një intervistë për Komitetin Olimpik, ku ka përshkruar rrugën e garuesve, teksa në fund tha se vullneti e puna për t'i dhënë suksese Kosovës do të vazhdojë deri në frymën e fundit.

Fillimisht Driton Kuka dhe një kapitulim se si erdhën medaljet për Distrian e Laurën, teksa tregoi se u ndje keq që Akili nuk arriti te medalje pavarësisht paraqitjes së tij, teksa tha që Nora Gjakova ishte e lënduar por që ajo e donte medaljen.

"Bilanc i shkëlqyeshëm, bilanc jashtëzakonisht i mirë për Kosovën. Po vazhdon një trend i medaljeve olimpike i shtetit tonë. U nis në Rio, vazhdoi në Tokio dhe tani në Paris. E jashtëzakonshme, emocionuese. Secila ditë në vete i ka storjet e veta, Distria e nisi bukur ku shkoi deri në finale, aty pësoi humbje por ishte e shkëlqyeshme. Distria ka hyrë në histori në sportin e Xhudos në botë. Është një nga garueset nëse nuk është e vetmja që ka fituar medalje në dy kategori të ndryshme për vajzat.

Ditën e dytë, Nora me lëndimin që e ka pasë, Olimpiada ka qenë sfidë e vështirë për të e pakalueshme, e kemi ditur si ekip por dëshironte, pasi ka punuar shumë dhe e donte edhe një medalje olimpike, por nuk kishte fat. Lufta ishte e barabartë shumë, por referët menduan që kundërshtarja ishte më aktive, kështu që pësoi humbje, por ajo mbetet kampione olimpike për krejt jetën.

Akil Gjakova është ajo storja, që mua më bën personalisht të ndihem me emocione ashtu negative, pasi e meritoi medaljen olimpike, ndoshta edhe të artën. Luftoi si një luan, luftoi me masona të xhudos botërore, ka qenë fantastik, atraktiv, ku të gjitha mediat kanë shkruar për përformancën e tij. Arriti deri në gjysmëfinale në mënyrën më të mirë të mundshme. Edhe në gjysmëfinale ndaj kampionit olimpik, Akili ishte më i mirë, kishte performancë të shkëlqyeshme, por me një gabim të vogël mbeti të luftonte për medalje të bronztë, e aty pastaj i erdhi garuesi japonez i cili bëri një gjuajtje të shpejtë, Akili tentoi ta kthente, ishte shumë afër, pasi japonezi u penalizua dy herë, e i cili ikte nga Akili çdoherë, por koha nuk ishte e mjaftueshme për ta kthyer luftën. Akili mbeti i pesti, rezultati më i mirë për shtetin e Kosovës te burrat pas çlirimit të vendit.

Laura ishte e kundërta e Akilit, edhe pse nuk ishte në ditën e saj të mirë, edhe pas ngarkesës së madhe psiqike për të fituar medalje, ajo nuk ishte as në 60% e saj sipas mendimit tim, por ajo kishte fat jashtëzakonisht. Në luftën me kanadezën ishte në nivel të lartë, me kinezën fitoi në një luftë të barabartë, por për një nuancë ishte më e mirë, ndërsa ndaj francezës humbi me meritë pasi ajo ishte më e mirë. Ndërsa në luftën për medalje, luftë që shkoi 'zhag' deri në vazhdime, ku kishin të dyja nga dy ndëshkime, ndodhi një aksion i Laurës, ku kroatja u kundërpërgjigj por jo në mënyrën e duhur, të palejuar me rregullat e xhudos, sepse kapjet për këmbë tashmë janë të ndaluara. Në fillim isha konfuz, nuk e dija çka ndodhi, por pas rishikimit të videos u pa që ajo kishte bërë një teknikë që nuk lejohet në Xhudo. Kështu Laura u stolis me medaljen e dytë për shtetin e Kosovës.

Tash të presim, nesër garon Loriana, po shpresojmë të jetë në ditë të mirë, të përformojë mirë, do të ishte mirë të hynte në zonën e medaljeve, që është kalimi në çerekfinale, ku edhe në humbje do të luante në repesazh. Do të jetë vështirë për të, por ta shohim. Ajo është kualifikuar për Lojëra Olimpike, tash ta shohim."

Në pyetjen se a u përmbush synimi 'pesë rrathë olimpik - pesë medalje', Toni Kuka tha se për Kosovën do të kenë vullnet e dëshirë deri në frymën e fundit për të sjellë akoma suksese.

"Kjo është storje në vete. Pas Lojërave Olimpike në Tokio ku i fituam edhe dy të arta pas të artës së Majlindës në Rio, simbolika e tregimit të tre gishtave u bë njëfarë sinonimi kur shkuam te rrathët olimpik për t'i bërë fotot, diqysh m'u duk që pesë rrathë olimpik, t'ia qesë vetës si cak si trajner pesë medalje. Të them të drejtën pas fitores së Distrias, mendojsha krejt kohën që mos diçka po e ndalë atë dëshirën time të madhe drejt medaljes së pestë, për ta përmbushur veten, me i përmbushë rrathët olimpik, ndodhi ajo çka ndodhi, jam i lumtur. Numri pesë është përmbushur për mua si trajner, në radhë të parë për Kosovën për shtetin tonë, për shtetin tonë të ri, për të cilin na punojmë dhe veprojmë sepse unë si trajner jam i përmbushur me medalje shumë vite më parë por dëshira dhe vullneti për të dhënë më të mirën unë dhe ekipi jonë e i gjithë komuniteti sportiv për shtetin e Kosovës nuk do të ndalet deri sa të jetojmë, deri në frymën e fundit dhe po besoj që ky numri pesë do të rritet, ta shohim deri kur por me rëndësi që jam i përmbushur në çdo aspekt."

Lajme të ngjashme