Drita e mund Prishtinën dhe e shton presionin ndaj Ismet Munishit - NACIONALE

Drita e mund Prishtinën dhe e shton presionin ndaj Ismet Munishit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Drita e ka mposhtur 2:1 Prishtinën të mërkurën në Lipjan, duke ia shkaktuar disfatën e tretë radhazi dhe duke e shtuar edhe më shumë trysnin ndaj trajnerit Ismet Munishi në stolin e klubit kryeqytetas.

Besnik Krasniqi dhe Blend Baftiu shënuan nga një herë në fund të pjesës së parë dhe në fillim të të dytës për t’ia fituar Dritës tri pikët e plota, pasi Jalen Blesa i kishte kaluar vendasit në epërsi fillimisht, raporton Nacionale.

Kjo është disfata e tretë radhazi për Prishtinën, e cila nënkupton se klubi bardhekaltër është pa fitore në vitin 2023 dhe në pjesën e dytë të sezonit 2022/23 në Superligë.

Para këtij takimi, ishte mposhtur nga Dukagjini me një gol kontrovers dhe pastaj nga vendi i fundit në tabelë, Ferizaj.

Kur Blesa e kaloi skuadrën e Munishit në epërsi në minutën e 34-të – duke e mposhtur portierin në shtyllën e parë pas një rivënieje këndore – u mendua se ajo do po e rigjente rrugën drejt fitores së parë këtë vit.

Por vetëm 10 minuta më vonë, Ardit Nika shkaktoi penallti me një dalje të pakujdesshme dhe Besnik Krasniqi shënoi nga penalltia kundër ish-klubit për ta barazuar rezultatin për Dritën.

Dy minuta brenda pjesës së dytë dhe Baftiu e kaloi klubin gjilanas në epërsi duke shënuar me kokë pas një harkimi nga Almir Ajzeraj.

Prishtina nuk arriti të krijojë asgjë në pjesën e dytë dhe Dritës nuk iu rrezikuar fitorja në asnjë çast.

Ndërkohë, në ndeshjet e tjera të javës së 21-të të zhvilluara sot, Gjilani e ka mposhtur Drenicën 2:1, ndërsa Malisheva ka barazuar 1:1 me Ferizajn në përballjen e mbijetesës.

Triumfi në Lipjan, ku tifozët e saj “intelektualët” nuk u lejuan të ishin të pranishëm në stadiumin Sami Kelmendi për arsyeje sigurie, nënkupton se Drita rimerr kreun e tabelës në Superligë tani me 44 pikë, falë goldallimit më të mirë se kampioni në fuqi Ballkani, i cili ndeshjen e kësaj jave e zhvillon nesër kundër Trepçës 89.

Prishtina ngel në vendin e katërt me 27 pikë, por tani pesë pikë larg Gjilanit në pozitën e fundit që dërgon në garat evropiane dhe rrezikon të bjerë më poshtë varësisht se si përfundon takimi mes Llapit dhe Dukagjinit nesër, të cilat kanë nga 26 dhe 25 pikë, përkatësisht.

Klubi kryeqytetas do të përballet me Llapin në fundjavë, një tjetër ndeshje vendimtare ndaj një rivali të drejtpërdrejt për Evropë, ku mund edhe të vendoset e ardhmja e Munishit.

Lajme të ngjashme