Drenica po mendon seriozisht t’i braktisë garat shkaku i borxhit gati gjysmëmilionësh - NACIONALE

Drenica po mendon seriozisht t’i braktisë garat shkaku i borxhit gati gjysmëmilionësh

4 vjet më parë

nga Ekrem Idrizi

Drenica është duke menduar seriozisht të heqë dorë nga sezoni i ri i garave, për shkak të borxhit prej rreth gjysmë milion eurove, merr vesh Gazeta Nacionale. Ky borxh flet për gjendjen e rënduar financiare të klubeve elitare në vend këtë verë.

Sezoni i ri 2022/23 në Superligë – elitën e futbollit kosovar – ka shumë mundësi të nisë pa njërin prej 10 pjesëmarrëseve të saj, klubin nga Skenderaj, i cili është në telashe serioze financiare.

Nacionale merr vesh se Drenica i detyrohet disa futbollistëve dhe ish-futbollistëve paga të papaguara nga sezoni i kaluar që së bashku kapin vlerën prej 144 mijë eurove.

Prandaj, para rreth dy muajve, FIFA – shtëpia e futbollit botëror – ia ndaloi kuqezinjve regjistrimin e lojtarëve të rinj deri në shlyerjen e detyrimeve ndaj futbollistëve, gjë që e ka ndikuar përpjekjet e klubit për përforcimin e skuadrës për sezonin e ri.

Burime brenda klubit nga Bajram Aliu kanë thënë për Gazetën Nacionale se po mendojnë të largohen nga garat nëse nuk ndihmohen për t’i shlyer borxhet.

Drenica ka kohë vetëm deri të hënën në mesnatë ta shlyejë borxhin ndaj lojtarëve dhe ish-lojtarëve në mënyrë që FIFA t’ia heqë ndalesën e regjistrimit të lojtarëve të rinj, prandaj klubi është duke menduar të mos paraqitet fare në gara nëse nuk ia del ta heqë qafësh këtë barrë.

Por ky nuk është borxhi i vetëm që e rëndon klubin, pasi ai i detyrohet shtetit 300 mijë euro taksa të papaguara.

Drenica është vetëm njëra prej tri klubeve të Superligës që një javë pa nisur sezoni i ri është e thelluar në telashe financiare dhe e goditur nga FIFA për borxhe ndaj futbollistëve. Bashkë me të edhe Prishtina e Llapi e kanë të ndaluar regjistrimin e lojtarëve të rinj deri në shlyerjen e borxheve.

Në sezonin e ri, Drenica mund prapëseprapë të luajë me lojtarët që i ka në dispozicion, megjithëse shumë prej tyre kanë ikur nga klubi këtë verë, dhe lojtarë juniorë, siç kishte ndodhur me Feronikelin sezonin e kaluar. Por kjo nuk është ajo ku klubi nga Skenderaj dëshiron të përfundojë.

Por përveç shumë futbollistëve, Drenica - e cila e siguroi mbijetesën në Superligë sezonin e kaluar në ditën e fundit të sezonit pas shumë përpjekjeve - e humbi edhe trajnerin e përhershëm, Tahir Lushtakun, këtë verë.

Çfarë po bën klubi për ta shpëtuar sezonin?

Drejtori i ri sportiv i Drenicës, Taulant Dajaku, tha dje për Nacionale se është duke punuar tash e dy muaj për ta zgjidhur çështjen e borxhit ndaj futbollistëve dhe ish-futbollistëve.

Dajaku, i cili nuk ka qenë pjesë e klubit në kohën kur ishin grumbulluar borxhet ndaj futbollistëve, beson se do të jetë një fillim shumë i vështirë për Drenicën, e cila e nis sezonin e ri kundër Llapit në shtëpi më 14 gusht.

Pra, klubi e ka pak më shumë se një javë për t’i shlyer detyrimet në mënyrë që të lejohet nga FIFA të regjistrojë lojtarë të rinj për sezonin e ri.

“Po kam muaj që jam në kontakt me FIFA-n dhe në bisedime me lojtarët dhe duke tentuar marrëveshje që na zhbllokojnë nga kjo gjendje, po pa kryer marrëveshjen nuk zhbllokohemi dot. Në atë drejtim jemi duke shpresuar, edhe pse goxha e vështirë është por duke shpresuar në krijim fondesh nga biznese të qytetit të zhbllokohemi dhe të kemi mundësi me u fut në kampionat, sigurisht të penalizuar por të paktën me përpjekjet tona shpresojmë të mos penalizohemi shumë”, nënvizoi ai për Nacionale.

Dajaku i falënderoi bizneset të cilat janë duke e ndihmuar klubin të dalë nga kjo krizë.

“Ne i falënderohemi krejt bizneseve që po e përkrahin klubin në këtë periudhë që është më e renda ndonjëherë për shkak të borxheve”.

Lajme të ngjashme