Drejtori i Mallorcas: Muriqin e duam, por shifrat që na i kërkon Lazio janë të ndërlikuara
Alfonso Diaz, drejtori i Mallorcas, është deklaruar sërish rreth mundësisë që Vedat Muriqi ta vazhdojë karrierën në klubin ishullor spanjoll.
Gjashtë muaj si i huazuar i kaloi Vedat Muriqi në Spanjë, gjegjësisht te Mallorca. Mirëpo, janë disa vështirësi që janë paraqitur, të cilat po ia vështirësojnë tej mase Mallorcas që ta ushtrojë të drejtën e blerjes së kartonit të sulmuesit kosovar.
Pengesa kryesore është ajo financiare. Si shifra që fiton Muriqi në vit, ashtu edhe ajo që dëshiron Lazio për ta liruar atë, janë problematike për klubin spanjoll, ngase operon me disa limite buxhetore, përtej të cilave nuk mund të dalë.
Rreth kësaj çështje u rikthye të flasë për mediat spanjolle vetë drejtori ekzekutiv i klubit , Alfonso Diaz.
"Shifrat që na i kërkojnë janë të ndërlikuara dhe çështja në fjalë është duke u diskutuar në tryezë. Muriqi është një lojtar që ne e duam, por duhet të shohim se çfarë do të ndodhë. Nuk është një situatë e lehtë", deklaroi Alfronso Diaz.
Muriqi në Spanjë gjeti vetëbesimin dhe vullnetin për t'i dëshmuar aftësitë e tij. Në Itali hasi në shumë vështirësi dhe nuk arriti në asnjë moment që të linte ndonjë gjurmë që ia vlen të përmendet.
Me pesë gola dhe tre asiste, Muriqi ishte lojtar që kontribuoi shumë për Mallorcan, në mënyrë që klubi t'i shpëtonte rënies nga liga. Nuk ekziston për momentin ndonjë empati e theksuar mes Lazios dhe Muriqit, por deri në gjetjen e një marrëveshjeje për t'iu bashkuar ndonjë klubi tjetër apo për t'u kthyer në Mallorca - atëherë Muriqi do të jetë pjesë e fazës përgatitore verore të klubit kryeqytetas italian gjatë javëve në vijim.
Gjatë fillimit të muajit qershor ishte raportuar edhe për një interesim të Galatasarayt, por në një prononcim ekskluziv për gazetën Nacionale, vetë drejtori i Lazios, Igli Tare, e pati mohuar kategorikisht me një "jo" të prerë që kishin pranuar ndonjë ofertë nga klubi turk.