Dokument: MKRS-ja s’e licencon FFK-në sërish, Agim Ademi rrejti nën betim - NACIONALE

Dokument: MKRS-ja s’e licencon FFK-në sërish, Agim Ademi rrejti nën betim

2 muaj më parë

nga Ekrem Idrizi

Komisioni Vlerësues i Ministrisë së Sportit ia ka hedhur poshtë sërish kërkesën për licencim Federatës së Futbollit të Kosovës, për shkak të mangësive dhe dokumenteve të pakompletuara, për çfarë e akuzon Agim Ademi se gënjeu në deklaratën nën betim.

Komisioni Vlerësues për Licencimin e Federatave Sportive (KVLFS) ka gjetur se presidenti i FFK-së, Agim Ademi, e shkeli deklaratën nën betim, duke deklaruar rrejshëm se i kishte dërguar të dokumentacionin e plotë dhe saktë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).

Në emailin e parë nga Gazeta Nacionale, që KVLFS-ja ia ka dërguar sot Ademit, ajo e akuzon shefin e futbollit në vend se e shkeli deklaratën nën betim.

Në dokumentacionin e dërguar në MKRS, Ademi kishte deklaruar: “Përmes kësaj deklarate, nën përgjegjësinë para ligjit, deklaroj se të gjitha të dhënat e paraqitura në dokumentacionin e dorëzuar tek MKRS-ja për licencim nga federata e sportit përkatës, janë plotësisht të sakta dhe të vërtetuara paraprakisht nga zyrtarët përgjegjës të federatës përkatëse”.

Ndërsa, KVLFS-ja i është përgjigjur kështu: “KVLFS konstaton se z. Agim Ademi e ka shkelur edhe deklaratën nën betim, duke dërguar dokumentacion të pakompletuar lidhur me gjendjen e tij juridiko-penale, dhe në këtë mënyrë është përpjekur që ta vërë në lajthitje Komisionin Vlerësues për Licencimin e Federatave Sportive, veprim ky i dëmshëm në aspektin etik e profesional, por edhe i dënueshëm në aspektin ligjor.”

Kjo është hera e dytë që FFK-ja dështon të licencohet, kryekëput për shkak të Ademit dhe përpjekjeve të tij për ta mbajtur pushtetin në FFK me të gjitha telashet me ligjin dhe më shumë.

Komisioni Vlerësues gjeti sërish shkelje të shumta në kërkesën e FFK-së për t’u licencuar si federatë e futbollit.

Komisioni Vlerësues i ka kërkuar Agim Ademit të japë dorëheqje të menjëhershme ose të shkarkohet nga posti i kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, për shkak se është duke u gjykuar për vepër penale.

Ademi është duke u rigjykuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë i akuzuar për veprën penale detyrim në bashkëkryerje dhe ushtrim të ndikimit në bashkëkryerje.

FFK-ja vijon t’i ketë 11 anëtarë të Komitetit Ekzekutiv, pavarësisht se me Statutin e vet i kërkohet t’i ketë 13, një tjetër shkelje për të cilën Komisioni Vlerësues i ka qortuar.

Federata e Futbollit mori vërejtje përsëri për përmbajtjen e Statutit të vet, i cili nuk është ndryshuar apo plotësuar siç duhet.

Komisioni Vlerësues gjeti se asaj i mungojnë dëshmi që i ka të themeluara dhe plotësisht funksionale strukturat e qeverisjes të cilat përmbajnë vendime, procesverbale apo kontrata.

Të gjitha këto vijnë në prag të një Kuvendi të Jashtëzakonshëm në përpjekje për ta ndryshuar Statutin e FFK-së, të premten më 27 janar, i cili do t’i jepte atij dhe rrethit të tij të ngushtë pushtet edhe më shumë në krye të futbollit në vend.

Draft-Statuti i përgatitur nga njerëzit e Ademit ka shumë shkelje dhe është duke u kundërshtarët nga klubet më të mëdha kosovare, si Prishtina, Drita dhe Trepça ’89.

Lajme të ngjashme