Prishtina i bashkohet klubeve kundër FFK-së: Ne s’e votojmë Draft-Statutin - NACIONALE

Prishtina i bashkohet klubeve kundër FFK-së: Ne s’e votojmë Draft-Statutin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Prishtina i është bashkuar Dritës dhe Trepçës ‘89 në kundërshtimin e Draft-Statutit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), i cili pritet të miratohet të premten, duke bërë thirrje që ai të mos votohet për shkak të disa shkeljeve ligjore dhe statutore në përmbajtje.

Klubi më i suksesshëm kosovar është i treti nga Superliga që del haptazi kundër përpjekjeve të presidentit të FFK-së, Agim Ademi, për ta ndryshuar Statutin e federatës në favor të vetin të premten më 27 janar.

Prishtina njoftoi në Facebook se nuk do ta votojë Draft-Statutin në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të premten më 27 janar.

Klubi futbollistik “FC Prishtina” përmes kësaj komunikate njofton se nuk do ta votojë draft-statutin e propozuar nga Federata e Futbollit e Kosovës”, ka thënë klubi kryeqytetas.

Në Draft-Statutin e përgatitur javë më parë janë parë disa shkelje dhe favorizime të dukshme ndaj presidentit. Po ashtu, edhe Kuvendi i Jashtëzakonshëm i thirrur për miratimin e tij nuk është bërë në përputhje me Statutin në fuqi të federatës.

Ky Draft-Statut e amniston Agim Ademin dhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv nga Kodi i vet i Etikës për katër vitet e ardhshme.

“Me përjashtim të nenit 39 paragrafi 2 dhe nenit 59 paragrafit 6 të këtij Statuti, kërkesa për t’iu nënshtruar kontrollit të përshtatshmërisë dhe integritetit nuk zbatohet për anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, duke përfshirë presidentin e FFK-së dhe anëtarët e komisioneve të pavarura të cilat janë në funksion në momentin e miratimit të këtij Statuti, por respektohen për cilindo kandidat për pozitë në Komitetin Ekzekutiv, përshirë për president të FFK-së dhe anëtarë të komisioneve të pavarura, pas miratimit të këtij Statuti”, thuhet në pikën 7 të nenit 88 të Draft-Statutit.

Po ashtu, nëse ky Statut miratohet, atëherë anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv do t’iu shtohen jashtëligjshëm dy vite në mandatin tyre.

Ata u zgjodhën më 2020, por Statuti i ri ua mundëson atyre të qëndrojnë në pozitë deri më 2026, pavarësisht se mandati është katërvjeçar.

Për më tepër, me Statutin e ri, FFK-ja synon që t’ua shlyejë presidentit dhe anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv mandatet e kaluara në vitin 2026, kur përfundon mandati i tretë i tyre, që nënkupton se ata do të mundë të zgjidhën përsëri edhe për tri mandate të tjera pas vitit 2026.

Nuk ka vendim për themelimin e Komisionit për hartimin e Draft Statuti komfor Ligji të Sporti neni 30.1(Federatat e sportit, janë të detyruara t’i publikojnë vendimet e tyre), vendimi nuk është i publikuar në uebsajtin e FFK-së dhe delegate e Kuvendit nuk janë të njoftuar për themelimin dhe përbërjen e këtij Komisionit.

Draft Statuti është në kundërshtim të plotë me Statutin Aktual neni 29.6 (Propozimi për amandamentim të Statutit duhet të bëhet nga anëtarët e FFK-së e mbështetur nga së paku 20 delegatë të Kuvendit të FFK-së dhe duhet të parashtrohet në afatin e paraparë kohor (20 ditë para mbajtjes së Kuvendit) dhe neni 62.

Draft Statuti i propozuar nga FFK iu dorëzua klubeve më datën 17.01.2023, 10 ditë para Kuvendit që është në kundërshtim me nenin 29.6 dhe neni 62 Ndryshimi i Statutit.

Lajme të ngjashme