Disa futbollistë zhduken nën rrënojat e tërmetit, klubi i Premierligës lutet për ish-yllin e vet - NACIONALE

Disa futbollistë zhduken nën rrënojat e tërmetit, klubi i Premierligës lutet për ish-yllin e vet

1 vit më parë

nga NACIONALE

Newcastle Unitedi ka thënë se është duke u lutur për lajme pozitive për ish-futbollistin e vet, Christian Atsu, i cili është në mesin e personave të ngujuar nën rrënojat e tërmetit shkatërrues që e goditi Turqinë sot.

Një tërmet i fuqishëm 7.8 ballësh e goditi Turqinë jugore dhe Sirinë veriore të hënën herët në mëngjes, duke i vrarë rreth 2.000 njerëz në të dy vendet.

Një numër i futbollistëve të klubit turk Hataysport kanë ngecur nën rrënojat e tërmetit, në mesin e tyre edhe Atsu, sipas mediave turke.

Atsu, 31 vjeç, luajti në Premierligë për Newcastle nga viti 2016 deri në vitin 2021.

Presidenti i Turqisë Recep Tayip Erdogan ka thënë se mbi 1.100 njerëz janë vrarë në shtatë provinca të Turqisë, ndërsa 5.383 të tjerë janë lënduar.

Erdogani ka theksuar se është e pamundur të parashikohet se sa shumë do të rritet numri i të vdekurve, derisa përpjekje për kërkim dhe shpëtim po vazhdojnë.

Ministri i Brendshëm i Turqisë Suleymon Soylu tha se tërmeti i sotëm i ka prekur 10 qytete: Gaziantep, Kahramanmaras, Hatay, Osmaniye, Adiyaman, Malatya, Sanliurfa, Adana, Diyarbakir dhe Kilis.

Turqia është njëra prej zonave më aktive të tërmetit në botë, për shkak të pozitës gjeografike.

Shumica e Turqisë ndodhet në pllakën tektonike të Anadollit, e cila ndodhet mes pllakave të mëdha – euroaziatike dhe afrikane – si dhe mes një të vogle, arabike. Derisa dy pllakat e mëdha lëvizin, Turqia shtrydhet, thonë ekspertët.

Kjo nënkupton se tërmetet janë shumë të zakonshme në Turqi. Sipas Autoritetit për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë, në vitin 2022 u regjistruan hiç më pak se 22 mijë tërmete në Turqi.

Shumica e tërmeteve në këtë vend janë vdekjeprurëse. Tërmeti më i madh që e kishte goditur Turqinë deri sot ishte 7.6 ballësh në Izmit më 1999, duke i vrarë 17 mijë njerëz.

Tërmeti që goditi mëngjesin e sotëm, 7.8 ballësh, është më i madh që është regjistruar ndonjëherë në Turqi.

Lajme të ngjashme