Dikur për faj të tij Juventusi ra në Serie B, tani Moggi bleu një paketë aksionesh të klubit për vetëm 7 euro - NACIONALE

Dikur për faj të tij Juventusi ra në Serie B, tani Moggi bleu një paketë aksionesh të klubit për vetëm 7 euro

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Luciano Moggi është i dënuar që ta ushtrojë çdo aktivitet si menaxher sportiv në Itali. Ish-drejtori sportiv i Juventusit për shkak të “Calciopoli” dënohej në këtë formë drastike. Sidoqoftë, ai është rikthyer si një aksioner i vogël i klubit, duke blerë një pako aksionesh për vetëm 7 euro.

Moggi sot është 85-vjeç. I pensionuar. Dikur pjesë e rëndësishme e futbollit italian, por tani gjendet i margjinalizuar dhe pa impaktin e dikurshëm. Mirëpo, për ta “rilindur” disi u përkujdes vetë Juventusi pas 17 vjetësh.

Sipas procesverbalit të mbledhjes së fundit që ka mbajtur Këshilli i Aksionerëve të klubit, të cilin e ka siguruar mediumi “Calcio e Finanza”, ish-drejtori i Juventusit njoftohet se është bërë pjesë e aksioneve të "bardhezinjve".

Ai ka blerë 20 pako për një shifër qesharake, sa për të mos thënë të papërfillshme: 7 euro. Pra, ai do të jetë pjesë e 0,0000008% të aksioneve të klubit.

Njëra ndër arsyet pse Juventus ka bërë këtë lëvizje është që Moggi të ketë të drejtë të marrë fjalën në Këshillin e Aksionerëve, çdoherë që ai do të mblidhet.

Juventus vazhdimisht ka ngurruar që të distancohet nga skandali i “Calciopoli”. Për klubin torinez ka qenë një masë e padrejtë dënimi me rënie në Serie B dhe jo e barabartë, pasi sipas tyre një sistem i tillë përfshinte të gjitha klubet e jo vetëm ata.

Si rrjedhojë e kësaj, për Juventusin si klub edhe dy titujt e fituar në kohën e Moggit, të cilat gjyqësori sportiv ia kishte hequr, gjegjësisht ato të sezoneve 2004/2005 dhe 2005/2006 – vazhdojnë të konsiderohen të vlefshme, anipse zyrtarisht janë zhvlerësuar që moti.

Lajme të ngjashme