Di Maria lëndohet, mësohet koha kur do t'u nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore të reja
Di Maria pati një debutim të mirë me fanellën e Juventusit në Serie A, duke shënuar edhe gol në ndeshjen kundër Sassuolos që mbylli llogaritë e javës së parë. Por, gjithçka nuk shkoi për së mbari, pasi ai u lëndua.
Goli që ai shënoi bëri që të gjithë të pranishmit në "Allianz Stadium" të ngriteshin në këmbë. Stadiumi ishte i stërmbushur edhe për shkak të tij, pasi ka ngjallur një eufori tejet të madhe transferimi te "zonja e vjetër".
Kur mendohej se gjithçka po shkonte drejt trases së duhur, ai ndjehu një dhimbje në pulpin e këmbës, gjë që bëri që të dilte jashtë fushës, për t'iu nënshtruar trajtimit mjekësor.
Ky lëndim që u pësua në pjesën e dytë, shkaktoi një panik te tifozët juventinë, të cilët në ankth akoma po presin kohëzgjatjen e rikuperimit nga lëndimi.
Ekzaminimet tjera mjekësore pas dhjetë ditësh
Di Maria, siç njihet ndryshe edhe "El Fideo", është paraqitur në zyret e JMedical, për t'iu nënshtruar kontrollave shtesë në lidhje me lëndimin që ka pranuar.
Në lidhje me ekzaminimet e bëra, Juventus ka lëshuar edhe një komunikatë për medie, ku ku shpjeguar të gjithë atë se çfarë ka ngjarë.
"Angel Di Maria i është nënshtruar testeve mjekësore gjatë mëngjesit dhe ku ka pasur kontrolle shtesë në radiologji në JMedical, të cilat kanë nënvizuar një shkallë të ulët të lëndimit në pulpin e këmbës së majtë. Pas dhjetë ditësh do t'i nënshtrohet një ekzaminimi përcjellës, kur do të rivlerësohet edhe shkalla e lëndimit", thuhet në komunikatën e "zonjës së vjetër".
Pas Pogba dhe Szczesny, Allegri duhet t'i bëjë llogaritë me një tjetër mungesë të rëndësishme, siç do të jetë ajo e yllit 34-vjeç argjentinas, Di Maria.
Drejtuesit e klubit torinez shpresojnë që ai të rikuperohet deri në fund të muajit, para se skuadra të luajë kundër Spezias. Por, siç njoftojnë agjencitë e lajmeve të afërta me Juventusin, siç është "Goal", vështirë është të mendohet se ai do t'ia dalë që të jetë në gatishmëri për ndeshjen kundër Romës, e cila do të zhvillohet më 27 gusht.
Deri atëherë Allegri duhet të shohë se ne çfarë mënyre do të mund ta kompensojë boshllëkun e lënë nga Di Maria. Mësohet se njëra prej alternativave të mundshme për të luajtur në vend të tij mund të jetë edhe Moise Kean.
Gjithsesi, për Juventusin do të jetë e rëndësishme që Di Maria të jetë në gjendje të mirë fizike për të luajtur gjatë muajit shtator, kur Juventus do t'i zhvillojë tri ndeshje, para se të nisë pushimi për shkak të ndeshjeve të ndërkombëtareve, të cilat janë në program në fund të muajit të ardhshëm.

